Ibrahimi i reagon Rahimajt: Për herë të parë në Forumet e Asociacionit janë ngritur tema politike

Aktuale

Ibrahimi i reagon Rahimajt: Për herë të parë në Forumet e Asociacionit janë ngritur tema politike

Më: 21 mars 2024 Në ora: 00:53
Sazan Ibrahimi

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, tha se për herë të parë në Forumet e Asociacionit, që nga themelimi i saj më 2001, janë ngritur tema politike.

Kjo deklaratë e Ibrahimit erdhi duke komentuar akuzat e kryetarit të Kamenicës, Kadri Rahimaj, i cili ka thënë se Asociacioni i Komunave të Kosovës, po refuzon të trajtojë kërkesën për anëtarësim të komunave në veri të vendit.

“Në statutin e Asociacionit të Komunave të Kosovës, është e qartë që bordi e ka mandatin 4-vjeçar. Është hera e parë që në historinë e Asociacionit, pasi është krijuar në vitin 2001, unë kam marrë drejtimin e këtij mekanizmi në vitin 2003, që në Forumet e Asociacionit janë ngritur tema politike. Mekanizmi jonë është mekanizëm i cili i mbron interesat e komunave dhe nuk merret me tema politike”, deklaroi Ibrahimi.

Madje sipas tij, në bazë të fakteve dhe argumenteve, qëndron se tri komunat janë anëtare të Asociacionit të Komunave të Kosovës.

Ndërkaq, kryetari Rahimaj, në një intervistë të martën për Tëvë1, ka pretenduar se AKK e ka frikën se me anëtarësimin e tri komunave në Asociacion, atëherë Lëvizjes Vetëvendosje i takon një anëtar në bordin menaxhues.

“Halli i tyre s’është vetëm këtu, ata e kuptojnë mirë që me anëtarësimin e këtyre komunave në Asociacion, Lëvizjes Vetëvendosje i takon një anëtar në bordin menaxhues të kësaj OJQ-je, të këtij Asociacioni, prandaj e kanë edhe frikën”, ka potencuar Rahimaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat