Zbatimi i zotimeve të Kosovës vlerësohet kyç për anëtarësimin në KiE

Aktuale

Zbatimi i zotimeve të Kosovës vlerësohet kyç për anëtarësimin në KiE

Më: 23 mars 2024 Në ora: 20:30
Ilustrim

Përmbushja e disa zotimeve të Kosovës është vlerësuar nga SHBA-ja si kusht për rrugën drejt anëtarësimit të Këshillit të Evropës. Njohës të çështjeve politike vlerësojnë se kompromiset janë të nevojshme për rrugën drejt integrimit.

Ato i përmendi ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien një ditë më parë.

Por ai foli edhe rreth manovrave të ushtrisë së Serbisë në kufi me Kosovën.

Profesori universitar Milazim Krasniqi vlerëson se zbatimi i obligimeve në raport me Serbinë janë të domosdoshme për integrimin evropian të Kosovës.

“Qeveria menjëherë duhet t’a dërgoj draftin e Asociacionit në Kushtetuese, dhe pastaj të përshpejtohen procedurat për formimin e Asociacionit sepse zogjtë e malit e dinë se Asociacioni është kusht jo vetëm për KiE, por për integrimet evropiane, për partneritetet me SHBA-të. Kryeministri ka luajtur lojë deri tash për të kënaqur masat injorante”, tha profesori universitar, Milazim Krasniqi.

E po i të njëjtit mendim është edhe analisti, Artan Muhaxhiri.

“Pa kompromise të domosdoshme, është absolutisht e pamundshme që të shkohet përpara në rrugën evropiane. Asnjë vendim i madh për Kosovën, as anëtarësimi në KiE, as ecja drejt përfundimit të dialogut nuk mund të bëhet pa kompromise të domosdoshme. Këtë e din edhe Kurti, sa më shpejtë të veprojë aq më mirë do jetë për Kosovë”, tha Artan Muhaxhiri, analist.

O’Brien deklaroi se Kosova duhet të bëjë hapa drejt formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe para se Komiteti i Ministrave në Këshillin e Evropës të trajtojë këtë pikë, dhe të jetë zbatuar para se Komiteti i Ministrave të votojë për punën e anëtarësimit.

Ai ka deklaruar se Kosova do ta ketë përkrahjen e SHBA-së për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat