​Opozita kërkon fillimisht dorëheqjen e Kurtit, pastaj shpërbërjen e Kuvendit

Aktuale

​Opozita kërkon fillimisht dorëheqjen e Kurtit, pastaj shpërbërjen e Kuvendit

Më: 25 mars 2024 Në ora: 15:03
Foto ilustrim

Partitë opozitare në Kosovë kërkojnë fillimisht dorëheqjen e kryeministrit Albin Kurti, pastaj shpërbërjen e Kuvendit të Kosovës, që automatikisht do të dërgonte vendin në zgjedhje të parakohshme. PDK, LDK dhe AAK shprehen optimiste se do të gjendet një formë për shkuarjen në zgjedhje të parakohshme, por partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, kërkesat e opozitës për zgjedhje të reja, i konsideron si joserioze, pasi sipas tyre s’kanë përkushtim për një gjë të tillë.

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu- Kodra, tha se vendi duhet të shkojë sa më shpejt në zgjedhje, pasi sipas saj, kryeministri Kurti është dorëzuar dhe s’ka më kuptim të vazhdojë të qeverisë.

Deliu: Do të gjendet forma për shkuarjen në zgjedhje të parakohshme

“Vendi duhet sa më parë të shkojë në zgjedhje sepse i ka humbur kuptimi një qeverie e cila ka mbushur tri vjet, por krejt çka numërojmë në projektet të cilat janë realizuar, qoftë me programin e saj, por edhe agjendën e saj, ka mos përmbushje të të gjitha projekteve... Opozita çfarë ka kërkuar tash e sa kohë është që t’i hapen rrugë zgjedhjeve të reja. Unë jam e bindur që do të gjendet mënyra. Unë jam e bindur se partitë opozitare do të gjejnë formën që t’i japin fund kësaj keqqeverisje, e cila po shihet çdo ditë. Prandaj lidershipi i PDK-së, shumë shpejtë do të qartësojë pozicionin tonë politik”, tha ajo.

Nevojën për dorëheqje të Kurtit e theksoi shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, i cili po ashtu tha se Kurti është dorëzuar përballë paaftësisë në qeverise, korrupsionit të lartë dhe dëmeve të njëpasnjëshme në arenën ndërkombëtare.

Gashi: Kurti të jep dorëheqje, pastaj përkrahim shpërbërjen e Kuvendit

“Kurti shihet i dorëzuara përballë paaftësisë në qeverisje, korrupsionit të lartë dhe shkaktimin e dëmeve të njëpasnjëshme në arenën ndërkombëtare. Sot kryeministri është i ekskomunuikuar nga zyrtarë të lartë të vendeve partnere...Zgjidhja që ne e konstatojmë është që zotëri Kurti duhet dhe është në fuqinë e detyrimin e tij që t’i jap mundësi qytetarëve të Kosovës për një zgjidhje. Ai duhet të tërhiqet dhe të jep dorëheqje pastaj ne normalisht ne do të shpërndajmë Kuvendin me dy të tretat. Ne nuk marrim mandat qeverisës, nuk përkrahim mandat qeverisës pa zgjedhje dhe do të përkrahim mocionin me dy të tretat, por paraprakisht duhet të krijojë situatën e re politike. Situata e re politike bëhet me dorëheqje ose me marrjen e nismës për shpërndarjen e Kuvendit”, theksoi Gashi.

Në anën tjetër, më i rezervuar për shpërbërjen e Kuvendit u shpreh shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri. Ai përmendi nevojën fillimisht që të debatohet për tre vjet qeverisje të Kurtit, të dalin në pah siç ai të gjitha dështimet, pastaj i njëjti të jep dorëheqje dhe vendi të shkojnë në zgjedhje të parakohshme.

Tahiri: Kurti është dorëzuar dhe duhet të jep dorëheqje

“Së fundmi është pa se zotëri Kurti është dorëzuar dhe duhet të dorëhiqet. Mos të mundohet t’ia lë fajin opozitës por të jep dorëheqjen dhe të shkon... Ne si Aleancë e kemi kërkuar shkarkimin e tij se 1 vit e gjashtë muaj. Kemi kërkesën që të shtunën e kam bërë publike, një analizë se pse duhet të shkarkohet kryeministri Kurti. Zotëri Kurti në strategjinë e tij e ka viktimizimin, ne do të thërrasim në interpelancë, në diskutime për tema tematike. Ballafaqimi i parë i yni me kryeministrin Kurti duhet të jetë për tri vjet qeverisje. Duhet të tregoj pse nuk janë shpenzuar 1 miliardë e 225 milionë euro për 2 vite e 9 muaj. Cila ka qenë arsye? Pse janë shpenzuar 209 milionë euro në tenderë njëburimore”, theksoi Tahiri.

Mirëpo, shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, tha se opozita s’ka nismë serioze për shkuarjen në zgjedhje të parakohshme.

Kusari-Lila: Kërkesat e opozitës joserioze

“Ne nuk mbështesim kërkesën për mocion mosbesimi të një grupi parlamentar individualisht. Arsyet janë të shumta, ndërsa ende nuk ka konsensus brenda partive opozitare...Duhet të ketë seriozitet dhe përkushtim edhe të partive politike për dialog të mirëfilltë. Derisa grupimet politike të opozitës nuk e kanë këtë, duket pak si joserioze të kërkohet votat e pozitës për të shpërbërë kuvendin apo mbështetur mocionin e mosbesimit”, tha ajo.

Këto deklarime grupet parlamentare i bën pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të hënën, ku u vendos që të enjten të mbahen dy seanca plenare.

E para pritet të jetë seancë e jashtëzakonshme, ku pritet të diskutohet për themelimin e një komisioni hetimor parlamentar për kontratat njëburimore të Qeverisë Kurti, kurse seanca e dytë do të vazhdojë me pikat e papërfunduara nga seancat e kaluara.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat