Deputeti i LVV-së: Fituesi dihet, Hamza dhe Abdixhiku do të shtyhen për vendin e dytë

Aktuale

Deputeti i LVV-së: Fituesi dihet, Hamza dhe Abdixhiku do të shtyhen për vendin e dytë

Më: 27 mars 2024 Në ora: 18:59
Mefail Bajqinovci

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka njoftuar se ka nominuar Bedri Hamzën si kandidat për kryeministër të Kosovës.

Krasniqi ka thënë se Bedri Hamza është përgjigja ndaj thirrjeve të qytetarëve për mirëqenie.

Për këtë media ka kontaktuar deputetin e partisë në pushtet, Mefail Bajqinovci.

Ai tha se do të bëhet luftë e ashpër për vendin e dytë, pasi sipas tij të parin do ta marr përsëri Vetëvendosje.

Bajqinvoci tha se LDK-ja e PDK-ja do të shtyhen për 1 mijë vota.

“Do të jetë luftë e ashpër për vendin e dytë. Domethënë, LDK-ja me PDK-në do ta kenë një luftë të ashpër për vendin e dytë se aty barabartë janë. Ndërsa për komentimin për kandidatura për kryeministër, të gjithë mund të qesin partitë opozitare, por vullneti i popullit dhe sondazhet që kanë dalë dihet që ne do të jemi partia e parë dhe do të jemi me 50% ashtu qysh sondazhet e fundit kanë treguar. Ndërsa e vërtetë që do të jetë luftë e ashpër për vendin e dytë me nuanca të vogla, besoj LDK e PDK kanë me u shty për 1 mijë vota”, u shpreh ai.

Deputeti Bajqinvoci u pyet nëse ndjehen të “rrezikuar” nga kjo kandidaturë e PDK-së.

Ai tha se nuk e diskutojnë një gjë të tillë, pasi sipas tij, partitë opozitare janë për vendin e dytë.

“Nuk diskutohet kjo punë, problemi është që lufta do të jetë për vendin e dytë, i treti e i dyti do të luftojnë për vendin e dytë, këta krejt kandidaturat i kanë për vendin e dytë, nuk kanë kandidatura për vendin e parë”, ka thënë ai.

Ish-ministri i Financave dhe ish-guvernatori i BQK-së, Bedri Hamza është i zgjedhuri i PDK-së që do të jetë kandidat për Kryeministër të Kosovës në zgjedhjet e ardhshme, të cilin më pas e konfirmoi edhe vet kryetari, Memli Krasniqi.

Zgjedhjet parlamentare pritet të mbahen vitin e ardhshëm në Kosovë.

Së fundmi, opozita po kërkon zgjedhje të reja, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Albin Kurti.

Mirëpo, Kurti ka thënë se nuk sheh arsye të japë dorëheqje, ndërsa ka rekomanduar opozitën që ta shpërbëjë Kuvendin e më pas të shkohet në zgjedhje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat