Referendumi i së dielës, Elshani: Në rast të ndonjë problemi, jemi gati për ta menaxhuar situatën

Aktuale

Referendumi i së dielës, Elshani: Në rast të ndonjë problemi, jemi gati për ta menaxhuar situatën

Më: 18 prill 2024 Në ora: 23:48
Veton Elshani

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për veriun, Veton Elshani ka folur për situatën e sigurisë në veri të vendit, derisa pritet që të dielën të ketë një proces votimi për kryetar të katër komunave veriore.

Elshani ka thënë se situata është e qetë ani pse delikate, duke garantuar për menaxhim serioz nga ana e Policisë, në rast të ndonjë problemi që mund të shfaqet më 21 prill në veri.

“Situata në veri të vendit është e qetë, po delikate. Gjithmonë duke i ditur ngjarjet të cilat janë zhvilluar më herët dhe ato të cilat po zhvillohen tani, situata në veri krahasohet me periudhën para Banjkës dhe pas saj. Në rast se ka shprehje të ndonjë pakënaqësie apo problem në veri ne do të dimë ta menaxhojmë. E kanë kuptuar të gjithë që jemi serioz në kryerjen e punëve tona. Të dielën është procesi referendumit, ne nuk presim të ketë ndonjë problem, por në rast se kemi të bëjmë më ndonjë gjendje të paparashikuar mund të merremi me to” është shprehur ai.

Të dielën e 21 prillit, banorët e Leposaviqit, Zubin Potokut, Zveçanit dhe Mitrovicës së Veriut, do të vendosin pro apo kundër largimit të kryetarëve të këtyre komunave. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës vendosi që votimi të mbahet më 21, pasi i verifikoi nënshkrimet e qytetarëve në peticionet për shkarkimin e kryetarëve në veri, të cilat u mblodhën nga mesi i muajit janar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat