Opozita do rrëzimin e Qeverisë, por nuk i ka votat

Aktuale

Opozita do rrëzimin e Qeverisë, por nuk i ka votat

Më: 23 gusht 2018 Në ora: 22:07
Qeveria PANA-Lista serbe

Opozita në Kuvend tash e sa kohë po thirret në një mocion të mundshëm mosbesimi për Qeverinë Haradinaj.

Përveç Partisë Socialdemokrate, partitë e tjera opozitare nuk i kanë dhënë nënshkrimet e tyre për një nismë të tillë.

Ditë më parë edhe deputeti i LDK-së, Ismet Beqiri paralajmëroi se në fillim të sesionit vjeshtor të Kuvendit, grupi i tij parlamentar mund të inicioj mocion mosbesimi për qeverinë.

Deputeti i Partisë Socialdemokrate, Frashër Krasniqi, thotë për RTV Dukagjinin se partia e tij mbështetë cilëndo parti në mocionin kundër qeverisë.

Mirëpo, sipas tij nga ajo që po shihet opozita nuk i ka votat për rrëzimin e qeverisë.

“Ajo që po duket në fakt është se opozita nuk i ka numrat e mjaftueshme për rrëzimin e qeverisë, nuk është problem as te PSD-ja as te askush tjetër nga opozita por thjesht nuk janë numrat. Në momentin që sigurohen ato vota PSD-ja është e gatshme të votoj për rrëzimin e qeverisë”, shprehet deputeti Krasniqi.

Se opozita nuk i ka numrat për rrëzimin e qeverisë e thotë edhe Artan Murati nga Instituti Demokratik i Kosovës, i cili shprehet se për t’u realizuar kjo nevojitet guxim politik.

“Duhet të del një subjekt politik që ta merr një hap të tillë, sepse ne kemi dëgjuar deklarata të vazhdueshme, mirëpo përveç atyre 12 nënshkrimeve të PSD-së që i bënë publike dhe i ofruan te opozita për të nisë një veprim të tillë, por nuk kemi parë diçka konkrete as nga LDK-ja as nga Vetëvendosje në këtë drejtim”, shprehet Artan Murati nga KDI.

Megjithatë ai thotë se partitë politike duhet parë nëse zgjedhjet në këtë kohë janë në interes të vendit ngase aktualisht Kosova po kalon disa procese kyçe.

“Subjektet politike duhet të fokusohen në atë se a janë zgjedhjet e reja në interes të vendit, pasi jemi në fazën përfundimtare të dialogut dhe në disa procese të tjera të rëndësishëm për vendin, për të cilat do të ndikonin mbajtja e zgjedhjeve të reja, apo shtyrja e disa proceseve siç është liberalizimi i vizave”, deklaroi më tej Artan Murati.

Ndryshe në Kuvend, partitë opozitare shpesh herë nuk kanë marr pjesë në votime si dhe ka pasur raste kur edhe kanë bojkotuar seancat parlamentare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat