Ismet Beqiri: Ikja e Mimoza Kusarit nga Grupi i LDK’së si e Pacollit

Aktuale

Ismet Beqiri: Ikja e Mimoza Kusarit nga Grupi i LDK’së si e Pacollit

Më: 1 shtator 2018 Në ora: 18:06
Mustafa, Lila

Koalicioni i lidhur para më shumë se një viti në mes të LDK-së dhe Alternativës, u shkëput mbrëmë nga kjo e fundit. Në Lidhjen Demokratike të Kosovës i kanë thënë Gazetës Express se ata nuk kanë qenë në dijeni për një gjë të tillë. Mirëpo, thonë se ka qenë pikërisht LDK-ja, që i ka ndihmuar ata të bëhen deputetë. E ky koalicion duket se i ka lënë shije të hidhur partisë së Isa Mustafës, pasi siç thonë zyrtarët e saj, ky mund të jetë koalicioni i vetëm parazgjedhor që ka bërë LDK-ja ndonjëherë.

Vepruan brenda një grupi parlamentar për më shumë se një vit, por mbrëmë vendosën që t’i ndajnë rrugët. Koalicioni parazgjedhor i lidhur në maj të 2017-ës në mes të LDK-së dhe Alternativës, u shkëputë mbrëmë nga kjo e fundit.

Sipas kryetares së Alternativës, Mimoza Kusari-Lilës, arsyeja e largimit nga koalicioni është pasi që partia ka ardhur në një pikë ku i duhet më tepër fokus promovimit dhe hapësirë më të madhe, jashtë LDK-së.

“Po, kemi dal nga grupi parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Tash unë dhe Iliri do të jemi deputetë të pavarur në Kuvendin e Kosovës, duke e përfaqësuar Alternativën” ka deklaruar Kusari- Lila.

Por, në Lidhjen Demokratike të Kosovës thonë se ata nuk kanë pasur ndonjë informacion për tërheqjen e tyre nga koalicioni, dhe thonë se kanë pasur hapësirë mjaftueshëm brenda LDK-së. 

Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri i ka thënë se informacionin për daljen e Alternativës nga Grupi Parlamentar, ai e ka marrë vesh përmes portaleve.

Beqiri thotë se partia e Kusari-Lilës ka pasur hapësirë mjaftueshëm brenda Grupit Parlamentar. Madje, deklaron se është pikërisht Lidhja Demokratike e Kosovës që I ka ndihmur ata të bëhen deputetë.

“Informacionin për daljen e tyre nga Grupi Parlamentar i LDK-së, e kam pa në portale, pra nuk kemi pas ndonjë informacion se kjo do të ndodhë. Ne e respektojmë të drejtën e tyre që të jenë të pavarur, dhe padyshim ajo ombrellë, siç ka deklaru kryetarja e Alternativës, siç e lexova ombrellë e madhe e quajtur LDK, padyshim që iu ka ndihmuar të bëhen deputetë”, ka thënë Beqiri për Express.

Deklaron se është e drejtë e tyre që të të veprojnë si të pavarur, por thotë se nuk kanë ndonjë informacion për arsyeshmërinë e daljes së tyre, përveç asaj që kanë lexuar në portale.

E siç duket koalicioni me Alternativën duket se i ka lënë shije të hidhur partisë prej nga vjen Beqiri, pasi që siç thotë tërheqja nga koalicioni do t’I bëjë të mendojë më shumë që ky të mbetet i vetmi rast që LDK-ka ka bërë koalicion parazgjedhor.

“LDK-ja pra e ka pas një koalicion parazgjedhor, dhe është hera e parë që LDK-ja ka pas koalicion parazgjedhor jo vetëm me Alternativën por edhe me AKR-në, dhe ndoshta kjo na bën me mendu më shumë që ky të mbetet i vetmi rast që LDK-ja ka bërë koalicion parazgjedhor. Paszgjedhor sigurisht që duhet të bëhet, pasi që në Kosovë është vështirë për të fituar zgjedhjet si parti e vetme”, tha ai.

Beqiri deklaron se Alternativa nuk mund të ketë nuk mund të kenë asnjë arsyetim ose pretekst që kanë dal nga LDK-ja për ndonjë arsye të pengesave për ato që kanë dasht me i shpreh. Shton se uron vetëm suksese tash e tutje.

“Nuk qëndron absolutisht që nuk kanë pas hapësirë. Gjithmonë grupi parlamentar, jo vetëm deputetëve nga Alternativa por asnjë deputeti nuk i ka penguar që ta japin mendimin e tyre, ose e kanë shpreh ndonjë pakënaqësi. Nuk është e vërtetë dhe është totalisht e paqëndrueshme”, tha Beqiri për Express.

Ndërkohë, sipas Kusari-Lilës edhe pse janë larguar nga koalicioni, bashkëpunimi me LDK’në do të vazhdojë në kuadër të opozitës.

“Nuk ka ndryshim në politikat edhe qasjen në atë se çka ne jemi deklaruar deri tash sa i përket bisedimeve, qëndrojmë në të gjitha ato pika, sa i përket domosdoshmërisë së ndryshimit të formës së qeverisjes” u shpreh ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat