Kërkohet që gjatë presidencës austriake të përmbyllet vendimmarrja për vizat

Aktuale

Kërkohet që gjatë presidencës austriake të përmbyllet vendimmarrja për vizat

Më: 27 shtator 2018 Në ora: 16:38
Ministrja Dhurata Hoxha, gjatë një takimi sot me ministrin e Austrisë për çështje të BE-së Gernot Blümel

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, gjatë një takimi sot me ministrin e Austrisë për çështje të BE-së Gernot Blümel theksoi nevojën për përkrahjen e mëtejme të këtij vendi në përshpejtimin e vendimmarrjes për liberalizimin e vizave në mënyrë që ky proces të përmbyllet gjatë presidencës austriake.

Ajo me këtë rast shprehu mirënjohje për ministrin Blümel, për mbështetjen austriake për Kosovën, në të gjitha fazat e shtetformimit dhe shtetndërtimit, duke u fokusuar në përkrahjen rreth liberalizimit të vizave si dhe fuqizimin e marrëdhënieve bilaterale. 

“Ne çmojmë jashtëzakonisht shumë kontributin dhe përkrahjen e Austrisë, në veçanti rreth liberalizimit të vizave. Ne tashmë kemi filluar fushatën informuese për këtë proces të rëndësishëm për Kosovën dhe qytetarët e saj”, theksoi në takim ministrja Hoxha, duke shtuar se ky është sukses i përbashkët me vendet mike si Austria e cila ishte vazhdimisht krah qytetarëve të Kosovës.

Ndërsa, ministri Blümel vlerësoi angazhimin e Kosovës për përmbushjen e kushteve nga udhërrëfyesi si dhe masave të MSA-së, si dhe ofroi përkrahje të Austrisë në proceset që po kalon Kosova.

Në këtë takim u potencua edhe përkushtimi për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe Agjendën Evropiane të Reformave, ERA 2, e cila parashikon vijimin e zbatimit të reformave për administratën publike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat