Hoxhaj: BE t’i japë Kosovës liberalizimin e vizave

Aktuale

Hoxhaj: BE t’i japë Kosovës liberalizimin e vizave

Më: 1 tetor 2018 Në ora: 16:19
Enver Hoxhaj

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, tha në Konferencën e 14 për Rajonet dhe Qytetet Evropiane që po mbahet në Salzburg të Austrisë, se BE duhet që përmes vendimit në Këshillin Evropian ta njohë dhe pranojë përmbushjen me sukses nga ana e Kosovës të të gjitha kritereve për liberalizimin e vizave.

“Me gjithë faktin se është dashur t’i përmbushim 95 kritere për liberalizim, në krahasim me vendet e tjera të rajonit të cilat kanë pasur rreth 45, Kosova suksesshëm ka bërë plotësimin e secilit kriter. BE duhet ta njohë dhe ta pranojë progresin e Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave dhe t’i japë dritën e gjelbër lëvizjes së lirë të qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Hoxhaj.

Ai ka folur edhe për raportin e Bashkimit Evropian me shtetet e rajonit, ku ka përmendur mosnjohjen e progresit të shënuar të Shqipërisë dhe Maqedonisë nga ana e BE-së, dhe se si kjo mosnjohje dhe mos shpërblim i punës, ka pasur pasoja të dukshme.

“BE duhet të punojë që ta mbajë gjallë optimizmin dhe frymën evropiane në Ballkan. Mos njohja dhe mos shpërblimi i progresit të Shqipërisë, dhe në veçanti të Maqedonisë ka shënuar pasoja. Rasti konkret është, siç e keni parë të gjithë, votimi i djeshëm në referendumin për Marrëveshjen e Prespës në Maqedoni”, tha Hoxhaj. Ai tha se anëtarësimi i shteteve të Ballkanit në BE nuk është vetëm zgjerim i unionit, por edhe konsolidim i tij meqë gjeografikisht, kulturalisht dhe historikisht, Ballkani është pjesë e Evropës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat