Urdhërdhënësit e Jeton Lleshit në krye të shtetit! Thaçi dhe Haradinaj heshtin për sulmin terrorist ndaj gazetës “Bota sot” - Bota Sot
Urdhërdhënësit e Jeton Lleshit në krye të shtetit! Thaçi dhe Haradinaj heshtin për sulmin terrorist ndaj gazetës “Bota sot”

Aktuale

Urdhërdhënësit e Jeton Lleshit në krye të shtetit! Thaçi dhe Haradinaj heshtin për sulmin terrorist ndaj gazetës “Bota sot”

Nga: Nehat Shaqiri Më: 18 tetor 2018 Në ora: 13:27
Nga e majta lart, Jeton Lleshi i dënuar me 10 vite burg për dërgimin e granatës ruse në vitin 2002, në selinë e gazetës “Bota sot” , në Cyrih të Zvicrës; Poshtë: Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi duke shtrënguar duart me këshilltarin e tij Bedri Islami, i cili është parë në shoqëri të Jeton Lleshit. Në mes lart: Bedri Islami duke shtrënguar duart me Kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj; Në mes poshtë: Bedri Islami bashkë me Jeton Lleshin, i cili tregon “grushtin”, për të dëshmuar se i përkasin së njëjtës ideologji. Djathtas: Kryeministri Ramush Haradinaj, së bashku me Jeton Lleshin. Lleshi në këtë fotografi shihet se mbanë në xhaketë edhe emblemën e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, që dëshmon se ishte anëtar i saj.

Gjykata Federale e Zvicrës, nuk e ka miratuar ankesën e Jeton Lleshit për ulje të dënimit.

Jeton Lleshi, ishte dënuar me 10 vjet burgim pasi kishte planifikuar dhe organizuar mirë një sulm terrorist ndaj gazetës kombëtare “Bota sot”.

Pas dënimit të tij, ai ishte ankuar për uljen e dënimit, mirëpo të mërkurën Gjykata Federale e Zvicrës ka hedhur poshtë ankesën e tij.

Në vendimin që e mori kjo Gjykatë erdhi në përfundim se nuk ka arsye për ulje dënimi.

Lleshi kishte dërguar një granatë ruse në adresën e gazetës “Bota sot”, në selinë qendrore të saj në Cyrih të Zvicrës në vitin 2002.

Jeton Lleshi në vitin 2017 është dënuar me 10 vite burg për veprën e tij terroriste që për qëllim kishte vdekjen e dhjetëra personave dhe shuarjen e gazetës “Bota sot”.

Image

Mediat e Zvicrës raportojnë për Lleshin

Mediat e huaja kanë raportuar për ngjarjen në fjalë, ndërsa në Kosovë, mediat kanë shukatur, e bashkë me to, edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj, i cili është parë i shoqëruar disa herë me Lleshin, i cili shihet se ishte edhe anëtar i AAK-së.

Është çudi të mos thuash asgjë në lidhje me një sulm terrorist, i mirëpërgatitur për shuarjen e një mediumi siç është gazeta “Bota sot”, nga liderët politik të institucioneve qendrore të Republikës së Kosovës.

Heshtja e tyre, e sidomos e presidentit Hashim Thaçi dhe kryeministrit Ramush Haradinaj flet shumë. Kurse, mos deklarimi i tyre, për të u shfajësuar flet edhe më shumë.

Ndoshta nuk guxojnë të flasin, të distancohen nga sulmi i tillë dhe të përshëndesin Policinë dhe Gjykatën e Zvicrës për një kriminel të kapur dhe dënuar tashmë. Ndoshta z. Lleshi i kërcënon apo i shantazhin se po të flasin do të tregoj tradhtinë e madhe!

Tashmë dihet mirë se gazeta “Bota sot”, ka qenë shënjestër e grupeve mafioze të politikës dhe grupeve tjera të cilat kanë ditur edhe të vrasin gazetarët.

Por, kjo asnjëherë nuk i ka trembur gazetarët tjerë të cilët për vite me radhë janë pjesë e kësaj gazetës.

Image

Heshtja e liderëve të Kosovës!

Gazeta “Bota sot”, ka dërguar pyetje në Presidencë për të marr një përgjigje nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, mirëpo ata nuk janë shprehur të gatshëm të përgjigjen në lidhje me këtë rast. Njëjtë ka ndodhur edhe me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili po heshtë pas këtij skandali të bërë publik tashmë nga mediat zvicerane.

Ishte gazeta “Bota sot”, që gjithmonë ka luftuar kundër kriminalitetit dhe atyre që po e zhvatin pushtetin që nga paslufta e deri më sot.

E ish-anëtari i SHIK-ut, Naim Miftari thotë se urdhërdhënësit e kësaj bombe sot janë në krye të shtetit.

Sipas tij, vrasja e gazetarëve dhe sulmet me mjete shpërthyese dihen mirë se ku e kanë adresën e urdhërdhënësve.

“Adresa e urdhërdhënësve në krye të shtetit”

“Arsyeja e vetme është se urdhëruesit dhe dërguesit e bombës në redaksinë e gazetës “Bota sot” në Cyrih, Jeton Lleshi urdhëruesit i ka sot në krye të shtetit të Kosovës. Vrasja e gazetarëve të “Bota sot” dhe sulmet me mjete shpërthyese e sulme hakerash, dihet mirë ku e kanë adresën. Mosdeklarimi i presidentit Hashim Thaçi dhe i kryeministrit Ramush Haradinaj tregon shumë qartë adresën e urdhëruesve”, thotë Miftari për gazetën “Bota sot”.

Opinionisti dhe analisti politik, gazetari shumë vjeçar, Faik Krasniqi thotë se, gazeta “Bota Sot” gjithmonë ka qenë në shënjestër të sulmeve të ndryshme, e sidomos gazetarët dhe bashkëpunëtorët e saj.

Ai thotë se, kemi edhe gazetarë e bashkëpunëtorë të vrarë të kësaj gazete, kurse kërcënimet që u bëhen janë të përditshme.

Kërkohet kush qëndron mbrapa sulmit

“Prandaj, nuk është për t'u çuditur pse as presidenti Thaçi e as kryeministri Ramush Haradinaj nuk kanë reaguar lidhur me sulmin me bombë ndaj selisë së Gazetës ''Bota Sot'' në Zvicër. Konsideroj që organet e drejtësisë në Zvicër duhet t'i shkojnë deri në fund kësaj ngjarje, për ta zbuluar të vërtetën se kush qëndron mbrapa këtij sulmi. Edhe pse është dënuar me 10 vite burg nga Gjykata zvicerane, nuk besoj që Jeton Lleshi ka vepruar kokë më vete, por mbrapa Jeton Lleshit mund të qëndrojnë politikanë nga Kosova”, thotë Krasniqi për gazetën “Bota sot”.

Edhe analisti politik Nexhat Haziri mendon se dikush nga krerët shtetëror të Kosovës janë urdhërdhënësit e terroristit Jeton Lleshi.

“Është e natyrshme që askush nga krerët aktual shtetëror të Kosovës mos të reagoj në këtë rast për faktin se dikush nga ta është edhe urdhërdhënësi apo shefi i terroristit Jeton Lleshi i cili nga gjykata zvicerane është dënuar me dhjetë vite heqje lire për shkak të aktit të tij terrorist të mbetur në tentativë drejtuar redaksisë së gazetës kombëtare "Bota Sot" në Cyrih të Zvicrës”, thotë Haziri për gazetën “Bota sot”.

Nëntoka kriminale

Sipas tij, ky rast tregon qartë se me çfarë metodash dhe mjetesh janë përdorur për ta ndalur fjalën e lirë, e mbi të gjitha janë mënyra e mjeta mbi të cilat kanë ndërtuar sundimin e tyre mbi Kosovën kjo kastë politike e dalur nga i ashtuquajturi "Krahu i Luftës".

“Të tillë si Jeton Lleshi që e përbëjnë nëntokën kriminale apo parapolitikën e këtyre partive politike janë prezentë edhe në Kosovë, me çka paraqesin rrezik jo vetëm për gazetar dhe kundërshtarët politik të shefave të tyre, por janë rrezik edhe për sigurinë e përgjithshme në vendin tonë, sidomos kurë institucionet e drejtësisë dhe të sigurisë janë të kapura dhe të shantazhuar nga shefat e Jeton Lleshit”, thotë Nexhat Haziri.

Image

Si e dërgoi pakon bombë në redaksinë e gazetës “Bota sot”

Pakoja ishte e maskuar në formë dhurate brenda së cilës, përveç një shisheje me verë kishte edhe një granatë, shkruan media zvicerane nzz.

Në vitin 2002, një dërgues i panjohur dërgoi një shishe verë “Chamonix 1998 Chenin blanc” në redaksinë e gazetës “Bota sot” në Cyrih të Zvicrës. Por, paketa përmbante një shishe verë, si dhe një granatë dore ruse, e cila mund të shpërthente në momentin e hapjes së pakos.

Pakoja nuk u hap në fillim, pasi drejtuesi i gazetës kishte dyshime, ndërsa vëllai i tij e hapi në anën e kundërt dhe zbuloi se brenda pakos ndodhej objekti i dyshuar. Motra e tyre ishte gjithashtu e pranishme, ajo menjëherë kishte lajmëruar policinë.

Një specialist erdhi, dhe çdo gjë u qartësua: Objekti i dyshuar ishte një granatë dore, unaza e shkyçjes ishte lidhur me tela dhe grepa me kapakun e paketimit të jashtëm. Sikur dikush të hapte paketën në mënyrën se si hapen dhuratat, granata e dorës do të kishte shpërthyer.

Si u zbulua ngjarja nga Policia zvicerane

Rasti mbeti i pazgjidhur prej vitesh, derisa në dhjetor të vitit 2016 policia e Cyrihut, u lajmërua për një grindje në një sallë ahengjesh.

Pjesëmarrësit u ndoqën për trafikim, u morën mostrat e ADN-së dhe shqyrtimi i tyre zbuloi një rast tjetër: ADN-ja e një prej shqiptarëve etnikë dhe qytetarëve të dyfishtë zviceranë që merrnin pjesë në grindje ishte në përputhje me mostrën e pakos bombë që ishte dërguar shumë vite më parë.

Në shtator të vitit 2017, Gjykata Federale Penale në Bellinzona dënoi dërguesin e pakos bombë me dhjetë vjet burg, për vrasje të shumëfishtë në tentativë dhe shkelje të shumta të ligjit mbi armët.

Gjykata gjithashtu shqiptoi një gjobë e dënimeve duke përfshirë edhe dëmshpërblimin.

Pas dënimit, ai u ankua në Gjykatën Federale duke kërkuar që dënimi i tij të hiqet, përkatësisht për të zvogëluar dënimin deri në tetë vjet.

Megjithatë, në një aktgjykim të vendosur të mërkurën, gjyqtarët e Lausanne e kanë refuzuar ankesën.

Image

Dënimi nga Gjykata

Pavarësisht ankesave të të dënuarit, Gjykata vendosi që të mos i përfillte ato, duke deklaruar se dënimi prej 10 vitesh ishte i duhuri.

Gjithashtu, është e qartë se kur dërgohet një bombë në formë dhurate, potencialisht do të ketë shumë viktima.

Në përgjithësi, Gjykata Supreme e Federatës, vjen në përfundimin se dënimet nën-shkallë, siç ishte rasti i Jeton Lleshit, janë në përputhje me ligjin federal.

Ndryshe, lajmi për konfirmimin e dënimit të Jeton Lleshit, është publikuar në mediet zvicerane.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...