Fshati Degë i Tropojës takim pune në Tiranë për vendlindjen e vet - Bota Sot
Fshati Degë i Tropojës takim pune në Tiranë për vendlindjen e vet

Aktuale

Fshati Degë i Tropojës takim pune në Tiranë për vendlindjen e vet

Nga: Ramiz Lushaj Më: 6 nëntor 2018 Në ora: 08:07
Fshati Degë në një takim në Tiranë

Këto ditë tetori 2018 u mblodhën në lokalin e bukur “West Street” në Tiranë banorë të fshatit Degë të Tropojës, të cilët janë shpërngulur në dekadat e fundit në kryeqytet-Tiranë, në qytetin bregdetar të Durrësit etj., të cilët diskutuan për çështje e problematika të vendlindjes së tyre. Kryefjala e të gjithëve ishte: Çka të bajmë ma shumë e ma mirë për fshatin tonë të lindjes, për Degën?! Secili prej diskutantëve e trajtoi lidhjen me vendin e origjinës së tyre, me fshatin e lindjes, folën për traditat historike, kulturore e arsimore të fshatit të tyre, për bujqësinë e blegtorinë e fshatit, për pyjet e kullotat, për organizmin e veprimtarive në fshatin e tyre, etj.

Dega është një fshat i bukur në mes maleve të larta, ku lartësia mbidetare në qendër të saj është 550 m., i rrethuar si asnjë fshat tjetër me katër fise të Malësisë së Gjakovës, si Bytyçi, Berisha e Brigjeve (Merturi), Gashi e Krasniqja. Ai ka male të lartë si mali i Bogdanit, po toka të tij janë përmbytur dhe nga liqeni i madh i Fierzës. Vend i pasur me pyje e kullota, me bimësi të shumtë, me Fushën livadhore të Degës (200 ha), me zhvillim të mirë të blegtorisë,etj. Dega në vitin 1485 kishte 23 shtëpi në territorin e saj, ndërsa më 1985 numëronte 685 banorë, nga të cilët 335 meshkuj e 350 femra. Popullohet nga disa vllazni krasniqase si Hajdaraj, Hasanaj, Katana, Haskola, Vakaj si dhe nga të ardhurit disashhekullor nga Llapi i Vuçiternës si Osmanaj, Demaj, Mehmetaj.

Dega ka marrë pjesë pjesë në të gjitha kuvendet historike e luftërat kundër otomanëve, serbëve e malazezëve, austro-hungarezëve, italianëve e gjermanëve, kryesisht në Shqipërinë e Veriut, si në Moraçë e Plavë-Guci, në Gjakovë e Shtimje, etj. deri në Operacionin e Dimrit të gjermanëve (1944), etj. dhe ka dëshmorët e saj prej vitit 1874 deri më 1998.

Dega është fshati i origjinës së Azem Hajdarit – Liderit të Lëvizjes Studentore të Dhjetorit ’90, kryetarit të Komisionit Nismëtar të Partisë Demokratike, deputet i Tropojës, Hero i Demokracisë, si dhe i vajzës së tij  Rudina Hajdari – deputete në Kuvendin e Shqipërisë.

Dega ka me dhjetra personalitete të saj, ku poi  veçojmë disa prej tyre, si av. Rasim Hasanaj – ish kryetar i Komitetit Shtetëror të Kulteve të Shqipërisë, gazetari ushtarak Halil Katana, poeti Asllan Osmanaj, biznesmeni Vladimir Katana, av. Rrahman Osmanaj, gazetari Beqir Katana e të tjerë.

Dy fotot paraqesin pamje nga takimi i banorëve të fshatit Degë në lokalin “West Street” në Tiranë.

Image
Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test
Tjera