Sa shtete që e njohën Kosovën të pavarur votuan kundër në Interpol?

Aktuale

Sa shtete që e njohën Kosovën të pavarur votuan kundër në Interpol?

Më: 21 nëntor 2018 Në ora: 18:49
INTERPOL

Pas dështimit të Kosovës për t’u anëtarësuar dje në Interpol, listat e votave pro, kundër e abstenimet u bën atraktive për t’u analizuar. Ato shpërfaqnin arsyet e dështimit të diplomacisë kosovare. Kishte shtete që e kanë njohur Kosovën e aty votuan kundër. Disa prej vendeve aleate që supozohej ta ndihmonin Kosovën munguan. Ndërsa pati edhe vende si Hungaria që pak ditë më parë u dekoruan me medalje në Prishtinë, ndërsa në Dubai abstenuan kur u hodh në votim pranimi i Kosovës.

Nga 116 shtete që e kanë njohur Kosovën, në rundin e dytë, që ishte vendimtari, votuan vetëm 65 pro anëtarësimit në Interpol. Në të parin kishin votuar 76 shtete, që sërish paraqiste numër të vogël në krahasim me njohjet.

Në listën e siguruar nga media nga Ministria e Punëve të Jashtme, shihet se në rundin e parë, kanë munguar shtete si Britania e Madhe, duke zvogëluar kështu numrin e vendeve prej të cilave Kosova ka përkrahje.

As Hungaria nuk është në listën e vendeve që votuan pro.  Ky shtet abstenoi dje kur u votua për anëtarësimin e Kosovës në organizatën ndërkombëtare të Policisë.

Kanë abstenuar edhe shtete të tjera që e kanë njohur Kosovën, por neutraliteti i Hungarisë mund të jetë më i hidhuri për Qeverinë. 

Vetëm pak ditë më parë, Kryeministri Ramush Haradinaj e takoi ministrin e Punëve të Jashtme të Hungarisë, Peter Szijarto. Madje atë e dekoroi me medaljen e Gjergj Kastriotit.

Ndërsa para një jave, kryeministri Ramush Haradinaj në emisionin Pressing tregoi se i ka telefonuar ish-kryeministrit shqiptar, Sali Berisha, për të lobuar te kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, pasi, sic tregonte Haradinaj, ata të dy kanë raporte të mira. As intervenimi i Berishës s’kreu punë për ta marrë votën e Hungarisë, e cila e ka njohur Kosovën në mars të 2008’ës.

Gjatë ditës është raportuar për vendet që e kanë njohur Kosovën e që dje në Dubai ku u mbajt Asambleja e Përgjithshme e Interpolit votuan kundër.

Diplomacia kosovare përveç që nuk ka arritur t’i bind shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën, ka dështuar të bind shtetet me të cilat ka marrëdhënie diplomatike që të votojnë pro anëtarësimit në organizatën ndërkombëtare të Policisë.

Votat e shteteve që e kanë njohur Kosovën janë shpërndarë; Disa kundër e disa kanë abstenuar, duke e lënë Kosovën në fund me vetëm 65 vota pro

Në listën e shteteve që abstenuan hynë, përvec Hungarisë, hynë edhe Japonia, Republika e Koresë, Peru, Burkina Faso, Antigua S Barbuda.

Ndërsa nga  56 shtetet që të martën votuan kundër anëtarësimit të Kosovës në Interpol, rreth 10 prej tyre ishin shtetet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat