VV: Shteti subvencionon strehimoret, nuk i financon

Aktuale

VV: Shteti subvencionon strehimoret, nuk i financon

Më: 2 dhjetor 2018 Në ora: 14:34
Konferenca për media e Lëvizjes Vetëvendosje

Burrat që ushtrojnë dhunë ndaj grave dhe fëmijëve, po ndihen rehat nga shteti, por edhe viktimat nuk po trajtohen si duhet nga shteti. Kështu u tha në një konferencë për media të Lëvizjes Vetëvendosje, ku u theksua se shtetit më shumë i kushton mëditja e një të burgosuri, se sa një viktime në strehimore.

Sami Kurteshi nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se pushteti në Kosovë, është i burrave të korruptuar, duke shtuar se 99 për qind e viktimave të dhunës në familje janë gra dhe fëmijë.

Kurteshi: Ky pushtet është i burrave të korruptuar

“Në rrafshin shoqëror kemi të bëjmë me një pushtet të burrave të korruptuar që nuk është i veçantë vetëm për Kosovën, por në Kosovë i ka edhe format e veta, shumë shpesh brutale të shprehjes, dhe forma më brutale e shprehjes edhe të mentalitetit patriarkal, do të thotë të pushtetit të burrave të korruptuar, edhe si pasojë janë strehimoret për viktimat e dhunës në familje, që 99 për qind janë gra edhe fëmijë. Ne e kemi një legjislacion i cili i përafrohet me legjislacionin modern për mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje. Së fundmi kemi edhe ndryshim plotësimin e kodit penal të Republikës së Kosovës që përfshin një vepër penale të rëndë, por kjo dhunë që 99 përqind shprehet ndaj gruas dhe fëmijëve, do të duhej të ishte e rregulluar në nivelin shoqëror dhe shtetëror, kjo nuk është bërë”, ka thënë ai.

Sipas Kurteshit, numri i viktimave të dhunës në familje, asnjëherë nuk është i saktë sepse ato raportohen vetëm kur nuk ka rrugëdalja tjetër.

Kurteshi: Burrat që ushtrojnë dhunën, rrinë rehat në shtëpi

“Ky pushtet dhe kjo shoqëri, sepse ky pushtet i burrave të korruptuar nuk është rastësisht, në vend se të bëjë veprime shumë të drejta burrat t’i marrin dhe t’i qojnë në një rehabilitim, sepse edhe shtetit do t’i kushtonte thjesht, financiarisht shumë më lirë, merr gratë bashkë më fëmijët, i nxjerrë nga shtëpia, pragu aty, nga vendi i vetëm ku ata ndihen të sigurt, dhe i qon në një vend tjetër, kurse burrat që kryejnë në të vërtetë dhunën rehat si zotëri në shtëpi, natyrisht që kjo lidhet me çështjen e pronës dhe me çështjen e trajtimit të pronës dhe të gruas”, ka shtuar Kurteshi.

Ai ka shtuar se 95 përqind e pronave në Kosovë janë të regjistruara në emrin e burrave. Sipas tij, në një shtet të tillë, ku bëhen diskriminime të tilla, ka nevojë për ndryshime të mëdha.

Ndërsa, Nazlie Balaj tha se dhuna në familje vazhdon të jetë dukuri shqetësuese në Kosovë, duke shtuar se numri i tyre sa shkon e rritet.

Balaj: Nga viti 2003 janë 22 mijë viktima të dhunës në familjë

“Që nga viti 2003 edhe kur është formuar njësiti i parë  kundër dhunës në familje, nga ana e Policisë së Kosovës e deri në këto momente, nëse i marrim për bazë shifrat dhe statistikat e raportimeve e Policisë sa i përket raportimeve të dhunës në familje, deri tash mund të konkludojmë që në Kosovë i kemi afër 22 mijë viktima gra dhe vajza, si pasojë e dhunës në familje”, ka thënë ajo.

Ajo tha se që nga viti 1999 ekzistojnë 7 strehimore, për viktimat e dhunës në familje. Ndërsa, kushtet në këto strehimore nuk janë aspak të mira.

Balaj: Shteti subvencionon strehimore, nuk financon

“Sot shteti i Kosovës është mbështetësi i vetëm tek strehimoret dhe shërbimet që i ofrojnë këto strehimore. Ato që nga viti 2003 e deri më sot ballafaqohen me aspektin financiar apo ballafaqohen me mbështetjen jo të duhur shtetërore. Në këtë rast, pikërisht loja me strehimoret që është duke u bërë 2003, e deri më sot, po i ilustrojë me të gjeturat që i kemi hasur në strehimore, në vizitat që i kemi hasur.  Një strehimore subvenciohet nuk financohet, por strehimoret subvenciohen nga ana e shtetit në vlerë 20 mijë euro, ku 30 për qind e këtyre subvencioneve nga strehimoret shkojnë në pagat për stafin e strehimoreve, dhe paga minimale në strehimore është 130 euro”, ka shtuar ajo.

Balaj po ashtu tha se shtetit më shumë i kushton një mëditje e një të burgosuri, se sa e viktimave në cilat ndodhen në strehimore.

Tutje ajo ka thënë se në mars të vitit 2018, Lëvizja Vetëvendosje  ka nxjerrë rekomandime për përgjegjësinë e shtetit ndaj dhunës në familje. Sipas saj, gjatë analizës së kostos në strehimore, kanë nxjerrë edhe një rekomandim, ku sipas saj këtë strehimore duhet të institucionalizohen, duke shtuar se shteti duhet të ketë përgjegjësi ndaj tyre.

Mes tjerash u tha se në ditën e gruas çdo herë thuhen fjalë të mëdha, e në anën tjetër situata dhe pozita e gruas është e mjerueshme. Ku sipas Balajt, është e ngacmuar dhe e trajtuar jo mirë çdo ditë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat