Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Saranda Bogujevci, nuk ka mundur të jetë prezent për të votuar transformimin e Forcave të Sigurisë të Kosovës në Kuvendin e Kosovës pasi është duke u trajtuar nga plagët e marra gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Dejona Mihali, koordinatore e komiteteve nga Lëvizja Vetëvendosje, përmes një sqarimi në rrjetin social Facebook, ka njoftuar se deputetja po trajtohet nga lëndimet e plumbave të marrë më 28 mars 1999 nga militarët e Millosheviçit në trupin e saj.
“’Akrepat’ vranë 14 anëtarë të familjes, ndërsa 5 fëmijët që mbijetuan pësuan lëndime të rënda. Viktima më e re ishte vetëm 2 vjeç dhe më e moshuara ishte 69 vjeç”, ka shkruar në Facebook.
Ndryshe, gjatw ditës së sotme, Kuvendi i Kosovës ka miratuar tri ligje të cilat transformojnë Forcën e Sigurisë së Kosovës në Ushtri.