Ndërpriten përkohësisht bisedimet për paqe në Afganistan - Bota Sot
Ndërpriten përkohësisht bisedimet për paqe në Afganistan

Azia

Ndërpriten përkohësisht bisedimet për paqe në Afganistan

Më: 6 maj 2019 Në ora: 15:47
Afganistan

Bisedimet midis negociatorëve amerikanë dhe përfaqësuesve talibanë në Doha të Katarit u ndërprenë, për të shënuar fillimin e Muajit të Ramazanit.

Dy palët kanë zhvilluar gjatë gjithë javës së kaluar rrethin e gjashtë të negociatave, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje për t'i dhënë fund luftës gati 18-vjeçare në Afganistan.

Zëdhënësi politik i talibanëve, Suhail Shaheen, tha në një postim në Twitter se bisedimet do të ndërpriten për ditën e parë të Muajit të Ramazanit, gjatë të cilit myslimanët agjërojnë, dhe se ato do të vazhdojnë ditën pasuese.

Shaheen i tha agjencisë AFP se aktualisht po bisedohet se kur do të largohen forcat e huaja nga Afganistani.

Përpara arritjes së ndonjë marrëveshjeje, Uashingtoni kërkon nga militantët të ofrojnë garanci për armëpushim dhe të angazhohen në dialog me Qeverinë e Kabulit.

Talibanët kanë thënë se nuk do t'i bëjnë këta hapa derisa Shtetet e Bashkuara nuk shpallin planin për tërheqje.

Shtetet e Bashkuara kanë ndërhyrë ushtarakisht në Afganistan në vitin 2001, pak kohë pasi militantë të lidhur me grupin terrorist Al Kaida kanë kryer sulme terroriste në tokën amerikane, duke vrarë mbi 3,000 njerëz.

Ndërhyrja e SHBA-së dhe aleatëve të tjerë të NATO-s ka rrëzuar talibanët nga pushteti në Afganistan, në vitin 2001.

Militantët, deri më tash, kanë biseduar vetëm me përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara, duke i konsideruar ata si "armiqtë" kryesorë.

Ata kanë refuzuar të bisedojnë me Qeverinë në Kabul, pasi, sipas tyre, ajo është "kukull" e SHBA-së.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...