“Kultura japoneze mbi të gjitha”. Ministri i Jashtëm japonez ka një kërkesë për mediet e huaja - Bota Sot
“Kultura japoneze mbi të gjitha”. Ministri i Jashtëm japonez ka një kërkesë për mediet e huaja

Azia

“Kultura japoneze mbi të gjitha”. Ministri i Jashtëm japonez ka një kërkesë për mediet e huaja

Më: 22 maj 2019 Në ora: 10:32
Japoni

Ministri i Jashtëm japonez do t’iu kërkojë organizatave mediatike ndërkombëtare të vendosin mbiemrin përpara emrit kur përmendin emrat e japonezëve, siç është zakoni në fakt në gjuhën japoneze, në përpjekje për të kthyer një marrëveshje gjuhësore thuajse njëshekullore.

Taro Kono, që në fakt duhej shkruar Kono Taro, tha se mediet e huaja duhet të ndjekin të njëjtën praktikë siç bëjnë kur raportojnë për vende të tjera aziatike, ku mbiemri tradicionalisht vjen përpara emrit. Si shembull, ai tha se emri i kryeministrit të Japonisë, Shinzo Abe, në të ardhmen duhet shkruar Abe Shinzo.

Disa e shohin këtë kërkesë si pjesë të një lëvizjeje të udhëhequr nga kryeministri konservator Abe, për të demostruar një besim në rritje ndaj kulturës dhe historisë së Japonisë, teksa vendi përgatitet për atë që konsiderohet si periudha njëvjeçare e të qenit në qendër të vëmendjes botërore. Fillimisht, në Japoni do të mbahet samiti i G20-s, për t’u ndjekur më pas nga Kupa e Botës në Regbi në vjeshtë, e më vonë me Lojërat Olimpike të 2020-s.

Image
Kono Taro, ministri i Jashtëm japonez.

Kono sugjeroi që ky ndryshim në përdorimin e emrave të zbatohet në kohë, përpara samitit të G20-s që do të mbahet në Osaka në fund të qershorit, kur mes udhëheqësve që do të mikpriten janë edhe presidenti kinez, Xi Jinping, dhe homologu i tij koreano-jugor, Moon Jae-in, emrat e të cilëve shkruhen në anglisht në të njëjtin rend siç shkruhen edhe në gjuhët e tyre amtare, pra me mbiemrin përpara emrit.

“Kam planifikuar t’u kërkoj organizatave mediatike ta bëjnë këtë ndryshim”, u tha Kono reporterëve, duke shtuar se mediet vendase që ofrojnë shërbime në gjuhën angleze duhet të konsiderojnë gjithashtu adoptimin e këtij ndryshimi.

Praktika e vendosjes së mbiemrit përpara emrit fitoi mbështetje të gjerë gjatë fundit të shekullit të XIX dhe fillimit të shekullit të XX, kur Japonia hodhi sytë nga Europa në përpjekjet për të modernizuar ekonominë dhe ushtrinë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...