Sulmohen dy transportues të produkteve të naftës në Gjirin e Omanit - Bota Sot
Sulmohen dy transportues të produkteve të naftës në Gjirin e Omanit

Azia

Sulmohen dy transportues të produkteve të naftës në Gjirin e Omanit

Më: 13 qershor 2019 Në ora: 17:01
Transportuesi në Gjirin e Omanit

Dhjetëra anëtarë të ekuipazhit janë shpëtuar, pasi dy anije transportuese të produkteve të naftës, thuhet se janë sulmuar, dhe janë përfshirë nga flakët në Gjirin e Omanit.

Operatorët e anijes thanë se 21 pjesëtarët e ekuipazhit janë evakuuar në mënyrë të sigurtë, në disa anije që gjendeshin afër.

Irani njoftoi se ka shpëtuar 44 vetë, pasi anijet u përfshinë nga flakët, dhe i ka transferuar ata në një port iranian, njoftoi media shtetërore.

Qeveria japoneze tha se transportuesit mbanin ngarkesa "të lidhura me Japoninë".

Sulmet e raportuara në Gjirin e Omanit erdhën pasi kryeministri japonez, Shinzo Abe po e përmbyllë vizitën e tij dy-ditore në Teheran.

Ministri i Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif i përshkroi incidentet si "të dyshimta", duke thënë se ato ndodhën ndërsa Abe u takua me udhëheqësin suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, për "bisedime të gjera dhe miqësore".

Abe, kryeministri i parë japonez që vizitoi Iranin pas më shumë se 40 vjetësh, më 12 qershor, paralajmëroi se me çdo kusht duhet të shmanget një "konflikt" midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara.

Flota e pestë e amerikane me bazë në Bahrein, më parë tha se kishte marrë dy thirrje për sulme, duke shtuar se anijet e Marinës së SHBA po ofronin ndihmë.

Ky incident ndodh një muaj pasi katër transportues të naftës u sulmuan pranë Emirateve të Bashkuara Arabe, duke rritur tensionet mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara si dhe aleatëve të saj në Gjirin Persik. SHBA-ja e akuzoi Iranin për sulmin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...