Raund i ri bisedimesh për paqe në Afganistan

Azia

Raund i ri bisedimesh për paqe në Afganistan

Më: 17 qershor 2019 Në ora: 08:29
Afganistan

Shtetet e Bashkuara dhe talebanët kanë në plan të zhvillojnë një raund të rëndësishëm bisedimesh javën që vjen me shpresën për përparim në procesin e vështirë për vendosjen e paqes në Afganistan.

Raundi i shtatë i bisedimeve është planifikuar të zhvillohet në Doha të Katarit, ku talebanët kanë një zyrë të vogël përfaqësuese. Ekipi amerikan kryesohet nga i dërguari amerikan me origjinë afgane, Zalmai Kalilzad.

Bisedimet, ku nuk ka marrë pjesë qeveria afgane, janë përqëndruar kryesisht tek tërheqja e forcave amerikane nga vendi në shkëmbim për garanci të talebanëve se nuk do të lejojnë grupe ndërkombëtare terroriste të përdorin territorin afgan për të ndërmarrë sulme ndaj vendeve të tjera.

Negociatat e mëparshme ngecën pasi talebanët nuk pranuan të ndalin luftimet dhe të uleshin për bisedime shumëpalëshe në Afganistan, derisa amerikanët të shpallnin një plan kohor për tërheqjen e trupave.

Ndërkaq, burime zyrtare në Kabul i thanë Zërit të Amerikës se po bëhen përgatitje për një dialog dy ditësh mes palëve afgane, përfshirë përfaqësues të qeverisë dhe talebanëve që do të zhvillohen në Doha në fillim të muajit të ardhshëm.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat