Presidenti i Iranit, Hassan Rohani, ka thënë se vendi i tij është i gatshëm për negociata me fuqitë botërore, por jo nëse ato nënkuptojnë dorëzim, pa cekur se për cilin lloj të bisedimeve e ka fjalën.
Duket se ai u referohej bisedimeve të mundshme me Shtetet e Bashkuara. Presidenti amerikan, Donald Trump, e tërhoqi ShBA-në nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 vitin e kaluar, por ka thënë se është i gatshëm të zhvillojë negociata me republikën islamike.
“Përderisa i kam përgjegjësitë për detyrat ekzekutive të vendit, ne jemi plotësisht të gatshëm për negociata ligjore, të barabarta dhe të sinqerta për t’i zgjidhur problemet” tha Rohani. Deklarata e tij është publikuar në faqen zyrtare të presidencës iraniane në internet.
Sidoqoftë, ai ka shtuar se këto negociata nuk mund të përdoren për ta detyruar vendin e tij që të dorëzohet. Ai tha: “Në të njëjtën kohë, ne nuk jemi të gatshëm që të ulemi në tavolinën e dorëzimit nën petkun e negociatave”, shkruan “Reuters”.