Komandanti i Rojeve Revolucionare të Iranit, Hossein Salami, ka thënë se ushtria e vendit të tij e ka testuar një raketë të re, duke shtuar kështu tensionet edhe ashtu të larta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britaninë e Madhe.
“Vendi ynë është gjithmonë arenë për testimin e disa llojeve të sistemeve strategjike të mbrojtjes dhe këto janë lëvizje të pandalshme drejt rritjes së fuqisë sonë parandaluese”, tha gjenerali Hossein Salami.
Pa dhënë hollësi lidhur me lëshimin e raketës, ai shtoi se kjo është një ndër ditët e suksesshme për kombin e tij.
Lëshimi i raketës erdhi më pak se 48 orë nga prezantimi i sistemit të mbrojtjes ajrore me raketa tokë-ajër nga autoritetet iraniane.
Ky veprim i shtetit islamik i ka rritur tensionet me Shtetet e Bashkuara, të cilat e kanë akuzuar Iranin për sulmet ndaj anijeve me naftë në Gjirin Persik.
Irani i ka sekuestruar disa anije gjatë lundrimit të tyre në Ngushticën e Hormuzit, përfshirë anijen britanike “Stena Impero”, e cila vazhdon të mbetet e ndaluar në Iran pas konfiskimit në muajin e kaluar.
Për më tepër, Tehrani ka paralajmëruar se së shpejti do t’i tejkalojë kufijtë ndërkombëtarë për pasurimin e uraniumit në kundërshtim me marrëveshjen me fuqitë botërore, shkruan “Independent”.