Shefja ekzekutive e Hong Hongut bën thirrje për bisedime

Azia

Shefja ekzekutive e Hong Hongut bën thirrje për bisedime

Më: 27 gusht 2019 Në ora: 16:49
Carrie Lam

Në Hong Kong situata vazhdon të jetë e tensionuar. Shefja ekzekutive e Hong Kongut Carrie Lam komentoi pas kaosit të shkaktuar në protestat e fundjavës. Ajo ftoi protestuesit për bisedime, por shtoi se dialogu nuk nënkupton tolerim të dhunës. Nga ana tjetër demonstruesit nuk japin shenja se do të tërhiqen nga kërkesat e tyre.

Shefja ekzekutive e Hong Kongut, Carrie Lam, tha sot se është e gatshme të bisedojë me protestuesit. Por ajo shtoi se kjo nuk nënkupton se qeveria e toleron dhunën.

“Nëse dhuna vazhdon, gjëja e vetme që duhet të bëjmë është ta ndalim atë me zbatim të ligjit. Imagjinoni, nëse nën pretekstin e komunikimit ose fillimit të dialogut, të mos zbatojmë ligjet tona, të tolerojmë çdo lloj dhune dhe bllokade në Hong Kong. Ky do të ishte fundi i sundimit të ligjit në Hong Kong”, tha shefja ekzekutive Carrie Lam.

Policia ka arrestuar më shumë se 80 persona gjatë fundjavës, ku pati edhe përleshje mes protestuesve dhe policisë.

Shumica e mijëra protestuesve marshuan të qetë të dielën, por policia kohë pas kohe hodhi gaz lotësjellës drejt atyre që u ndanë nga grupi i madh.

Autoritetet për herë të parë u kundërpërgjigjën edhe me topa uji.

Disa protestues sulmuan policët me tulla, shkopinj dhe shufra dhe spërkatën rrugët me detergjent.

Protestuesit planifikojnë vazhdimin e demonstratave. Situata e krijuar vlerësohet si kërcënimi më i madh i paqes në qendrën financiare të Azisë, që kur kontrolli i Hong Kongut kaloi nga Britania tek Kina në vitin 1997. Protestuesit thonë se janë kundër asaj që ata e shohin si shkatërrim të të drejtave që garantohen nga marrëveshja e quajtur “një shtet, dy sisteme”, e cila i dha Pekinit kontrollin e territorit./Voa/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat