Vazhdojnë protestat në Hong Kong

Azia

Vazhdojnë protestat në Hong Kong

Më: 28 shtator 2019 Në ora: 17:09
Hong Kong

Policia e Hong Kongut ka përdorur gaz lotsjellës dhe kamionë me ujë për t’i shpërndarë protestuesit anti-qeveritarë, të cilët hidhnin gurë, thyenin xhama dhe bllokonin rrugë afër selisë së ushtrisë kineze.

Protestuesit ishin të veshur me rroba të zeza, të maskuar dhe të pajisur me çadra. Protesta u bë e dhunshme pas përleshjes me forcat policore, ngjashëm si në tre muajt e kaluar.

“Një grup i madh i protestuesve të dhunshëm janë mbledhur në rrugën Harcourt. Ata kanë hedhur tulla në drejtim të policisë. Veprimet e tyre paraqesin kërcënim serioz për sigurinë e të gjithëve”, thuhet në deklaratën e policisë.

Protestuesit kanë planifikuar të protestojnë edhe kundër liderëve të Partisë Komuniste në Pekin disa ditë para shënimit të përvjetorit të shtatëdhjetë të Ditës së Pavarësisë së Kinës.

Në javët e kaluara, protestuesit kanë kërkuar ndihmë edhe nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe që Hong Kongut t’i ruhet e drejta e autonomisë. Autoritetet britanike kanë thënë se Kina duhet ta respektojë marrëveshjen e vitit 1984 për kalimin e pushtetit.

Protestat kishin nisur në qershor për shkak të projektligjit për ekstradim në Kinë. Qeveria tashmë e ka tërhequr projektligjin, por protestuesit kanë shtruar kërkesa shtesë për qeverinë, shkruan “Reuters”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat