Mjekja kineze paralajmëron një valë të re të epidemisë në vendin e saj - Bota Sot
Mjekja kineze paralajmëron një valë të re të epidemisë në vendin e saj

Azia

Mjekja kineze paralajmëron një valë të re të epidemisë në vendin e saj

Më: 24 mars 2020 Në ora: 07:32
Profesoresha Li Lanjuan

Një nga ekspertët me eminentë të Kinës sa i përket coronavirusit, ka paralajmëruar kombin se vendi po ballafaqohet me një shpërthim të dytë të pandemisë për shkak të rritjes së numrit të infektuarve që po detektohen në Kinë – kryesisht të personave që kanë ardhur nga shtetet tjera.

Profesoresha Li Lanjuan, anëtare e ekipit të ekspertëve të virusit në Pekin, ka thënë se është e “brengosur shumë se numri i rasteve të importuara mund të nxit një valë të re të epidemisë në vendin e saj”

Këto komente ajo i bëri pasi zyrtarët e Shëndetësisë raportuan se është regjistruar rasti i parë me coronavirus, te një person i cili kishte pasur kontakt me dikë që ka ardhur nga jashtë.

E gjitha po ndodh në kohën kur Wuhani, qyteti që konsiderohej si epiqendra e epidemisë po i kthehet normalitetit pas plotë dy muajve bllokadë totale.

Profesoresha 73-vjeçe ka deklaruar për China News se kontrollimi dhe parandalimi i rasteve të importuara ka qenë një detyrë e “rëndë” për punonjësit shëndetësor.

“Kjo kërkon nga ne që të intensifikojmë përpjekjet dhe të punojmë pandërprerë për të parandaluar pneumoninë e coronavirusit të përhapet në qytete tjera”, ka shtuar ajo.

Profesoresha Li ka udhëhequr me ekipin që ka luftuar virusin në Wuhan për më shumë se 50 ditë.

“Qytetet si Pekini, Shangai, Guangzhou, Shenzhen dhe Hangzhou frekuentohen shumë nga të huajt. Jam shumë e brengosur që rastet e importuara mund të nxisin një valë të re në shkallë të gjerë të epidemisë në vendin tonë”, ka thënë ndër tjera ajo.

Ajo gjithashtu ka kërkuar nga zyrtarët të identifikojnë ata që janë prekur nga virusi, por që zyrtarisht ende nuk janë diagnostikuar. Mjekët në Guangzhou kanë diagnostifikuar një pacient që ishte sëmurë pasi kishte pasur kontakt me një person që kishte ardhur nga Turqia.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat