Sulmet e militantëve synojnë zbehjen e marrëveshjeve në Lindjen e Mesme

Azia

Sulmet e militantëve synojnë zbehjen e marrëveshjeve në Lindjen e Mesme

Më: 16 shtator 2020 Në ora: 13:32
Rripi i Gazës.

Militantët në Rripin e Gazës lëshuan raketa në drejtim të Izraelit dhe në anën tjetër, avionët izraelitë bombarduan objektiva në territorin palestinez.

Incidentet vijnë pas nënshkrimit të marrëveshjeve historike për normalizimin e marrëdhënieve midis Izraelit dhe dy shteteve arabe të Gjirit.

Ushtria izraelite tha se kishte nisur rreth dhjetë sulme ajrore në Gaza më 16 shtator. Siç njoftohet, 15 raketa u lëshuan nga territori i Gazës në drejtim të komuniteteve izraelite pranë kufirit.

Lëvizja Hamas, që kontrollon Rripin e Gazës, konsiderohet organizatë terroriste nga Izraeli, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Më 15 shtator, një raketë nga Gaza goditi qytetin bregdetar izraelit Ashdod, duke plagosur dy njerëz, ndërsa Izraeli dhe Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahrejni nënshkruan marrëveshje në Shtëpinë e Bardhë për të vendosur marrëdhënie diplomatike.

"Nuk jam i befasuar që terroristët palestinezë qëlluan në drejtim të Izraelit pikërisht gjatë kësaj ceremonie historike", tha kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, derisa po largohej nga Uashingtoni.

"Ata duan ta përmbysin paqen. Por, ata nuk do të kenë sukses", u tha Netanyahu gazetarëve, duke shtuar se “ne do të godasim të gjithë ata që ngrenë dorën për të na dëmtuar, dhe ne do të zgjasim dorën në drejtim të gjithë atyre që duan paqe".

Më 16 shtator, Hamasi paralajmëroi Izraelin se "do të paguajë çmimin për çdo agresion kundër popullit tonë ose vendeve të rezistencës dhe se reagimi do të jetë i drejtpërdrejtë".

Palestinezët, të cilët kërkojnë një shtet të pavarur në Bregun Perëndimor të okupuar dhe në Gaza, i shohin marrëveshjet e ndërmjetësuara nga SHBA-ja dhe të nënshkruara në Uashington, si një tradhti ndaj kauzës së tyre.

Marrëveshjet nuk adresojnë konfliktin izraelito-palestinez. Palestinezët kanë refuzuar normalizimin e raporteve të vendeve arabe me Izraelin duke thënë se kjo është një “thikë pas shpine” ndaj përpjekjeve për shtetësi.

“Paqja, siguria dhe stabiliteti në rajon nuk do të arrihen derisa të përfundojë pushtimi izraelit", tha udhëheqësi palestinez, Mahmud Abbas.

Marrëveshja mes Izraelit, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Bahrejnit përfshin një premtim për të pezulluar aneksimin izraelit të pjesëve të Bregut Perëndimor të pretenduara nga palestinezët. Vendet e Gjirit kanë thënë se kjo pikë e marrëveshjes siguron interesat palestineze.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka përshëndetur arritjen e marrëveshjeve.

"Pas dekadave të ndarjes dhe konfliktit, ne shënojmë agimin e një Lindjeje të re të Mesme" tha Trump.

Në ceremoni morën pjesë ministri i Jashtëm i Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheik Abdullah bin Zayed Al Nahyan dhe ministri i Jashtëm i Bahrejnit, Abdullatif al-Zayani.

Ministri i jashtëm i Emirateve falënderoi Izraelin për "pezullimin e aneksimit të territoreve palestineze".

Image
Pamje nga ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjeve mes Izraelit dhe vendeve të Gjirit në Shtëpinë e Bardhë në Uashington.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka këmbëngulur se Izraeli ka pezulluar vetëm përkohësisht planet e tij për të aneksuar vendbanimet e Bregut Perëndimor, dhe se ka përdorur normalizimin e raporteve me vendet arabe për të treguar aftësinë e tij për një arritje diplomatike historike.

"Kjo është një ditë kyçe e historisë", tha Netanyahu, duke shtuar se "ajo paralajmëron një agim të ri të paqes."

Gjithsej katër vende arabe e njohin Izralin. Para Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Bahrejnit, njohjen e Izraelit e kishin bërë Egjipti dhe Jordania.

Marrëveshja, në shumë mënyra, zyrtarizon marrëdhëniet midis Izraelit dhe disa shteteve arabe që janë kultivuar në heshtje gjatë disa viteve të fundit. Këto raportet janë mbështetur nga Uashingtoni dhe u zhvilluan pjesërisht për shkak të shqetësimeve të përbashkëta për Iranin.

Normalizimi është gjithashtu i rëndësishëm lidhur me paralajmërimet e presidentit Trump se më shumë vende arabe dhe myslimane do të ndjekin shembullin e Emiratave dhe Bahrejnit.

Analistët thonë se Omani, Sudani, Maroku, madje edhe Arabia Saudite mund të jenë shtetet e rradhës që do të njohin shtetin hebre.

Para ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjeve, presidenti Trump tha se palestinezët me gjasë do të bashkohen në një marrëveshje për paqe me Izraelin "përndryshe, ata do të lihen jashtë në të ftohtë".

Duke folur në Fox News Trump tha se palestinezët "në fund të fundit do të bëhen pjesë e marrëveshjes... dhe ju do të keni paqe në Lindjen e Mesme, pa qenë budallenj duke qëlluar të gjithë dhe duke vrarë të gjithë si dhe duke pasur gjak në të gjithë rërën"./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat