Vendi që shumë shpejt mund ta arrijë imunitetin e tufës

Azia

Vendi që shumë shpejt mund ta arrijë imunitetin e tufës

Më: 15 prill 2021 Në ora: 16:07
Izrael

Në Izrael, më shumë se gjysma e banorëve (5.3 milionë) janë vaksinuar dhe 830.000 persona të tjerë kanë rezultuar pozitivë me koronavirus në të kaluarën, të cilët duhet të kenë imunitet natyral. Pothuajse 68 për qind e popullsisë kanë gjeneruar antitrupa, me të cilët mund ta luftojnë virusin

Njëri prej mjekëve më të rëndësishëm në Izrael beson se vendi mund të jetë shumë afër arritjes së “imunitetit të tufës”. Kjo ndodh kur mjaftueshëm njerëz janë të mbrojtur ndaj një infeksioni, sa për ta ndaluar përhapjen e tij.

Madje, edhe vetë njerëzit që nuk kanë imunitet janë të mbrojtur tërthorazi.

Në rastin e sëmundjes pandemike COVID-19, pragu i llogaritur për imunitetin e tufës është të paktën 65 deri në 70 për qind, por shkencëtarët në Mbretërinë e Bashkuar janë më të kujdesshëm.

Mjekja Sarah Pitt, virologe në Universitetin e Brightonit, ka bërë thirrje për “kujdes të jashtëzakonshëm”, kur jepen përfundime se është arritur imuniteti i tufës - diçka që ajo beson se është e vështirë, madje edhe kur ka shifra të larta të të vaksinuarve. Ajo ka thënë se është shumë herët për të folur lidhur me këtë.

“Kemi nevojë që të shohim nëse rastet në Izrael vazhdojnë të bien apo të qëndrojnë në nivele të ulëta”, ka theksuar Pitt.

Arritja e këtij niveli të imunitetit të popullatës është e rëndësishme, në mënyrë që të mbrohen edhe njerëzit, të cilët nuk janë vaksinuar apo edhe ata që kanë sistem imunitar të dobët për të prodhuar reagim të mirë dhe mbrojtës ndaj infeksionit.

Në Izrael, më shumë se gjysma e banorëve (5.3 milionë) janë vaksinuar dhe 830.000 persona të tjerë kanë rezultuar pozitivë me koronavirus në të kaluarën, të cilët duhet të kenë imunitet natyral. Pothuajse 68 për qind e popullsisë kanë gjeneruar antitrupa, me të cilët mund ta luftojnë virusin.

Profesori Eyal Leshem, drejtor në spitalin më të madh në Izrael, Qendra Mjekësore Sheba, ka thënë se imuniteti i tufës është “shpjegimi i vetëm” për faktin se rastet kanë vazhduar që të bien edhe më shumë, ndonëse masat kufizuese janë zbutur.

Si funksionon imuniteti i tufës?

Ekspertët mendojnë se pa masat parandaluese, një person i infektuar me virusin SARS-CoV-2 që e shkakton sëmundjen COVID-19, do të infektojë mesatarisht nga tre deri në katër persona të tjerë.

Nëse bëhet fjalë për tre, atëherë teorikisht, kur dy të tretat e popullsisë fitojnë imunitet, një person mund ta shpërndajë sëmundjen mesatarisht vetëm te një person tjetër.

Mjafton që virusi të shpërndahet, por nuk mjafton që ai të rritet. Janë eliminuar dy prej atyre njerëzve nga zinxhiri i bartjes. Duket shumë e thjeshtë kur thuhet, mirëpo në realitet, është pak e ndërlikuar.

Vaksinat nuk janë 100 për qind efektive dhe ndonëse e parandalojnë infektimin, nuk e bllokojnë atë te të gjithë. Kjo do të thotë se disa persona të vaksinuar mund të jenë në gjendje që ta bartin virusin. Jo të gjithë që kanë qenë të infektuar me COVID-19 mund të kenë imunitet të fortë ose afatgjatë, gjithashtu variantet e reja barten më lehtë. Kjo nënkupton se duhet të vaksinohen shumë më tepër njerëz para se të arrihet pragu magjik.

Por, nuk ka vetëm lajme të këqija.

“Do të thosha se nuk duhet ta kërkojmë vetëm ‘imunitetin e tufës’, si shenjë që mund t’i heqim masat shëndetësore dhe mund t’i rikthehemi ‘normalitetit’”, ka shpjeguar mjekja Pitt.

A është Britania afër arritjes së imunitetit të tufës?

Mbretëria e Bashkuar ka gjasa që të jetë larg arritjes së këtij çasti historik - po qe se arrihet ndonjëherë. Vetëm afro gjysma e popullsisë në Britani ka gjeneruar antitrupa, të cilat fitohen nga infektimi apo vaksinimi, deri në mesin e muajit mars, kanë treguar të dhënat e Zyrës për Statistika Kombëtare - ndonëse kjo shifër tani mund të jetë më e lartë.

Megjithëkëtë, nevojitet kohë që antitrupat të krijohen pas vaksinimit. Mirëpo, vendi tashmë ka filluar ta shohë ndikimin e vaksinimit në rastet e hospitalizimeve dhe vdekjeve, pasi që është evidentuar rënie e theksueshme e tyre mes qytetarëve të vaksinuara, kryesisht mes grupmoshave më të vjetra dhe njëherësh më të rrezikuara.

Është shënuar rënie e madhe e numrit të të infektuarve edhe në mesin e të rinjve, gjë kjo që mund të tregojë se vaksina po e bllokon bartjen e virusit - ndonëse edhe izolimi ka pasur ndikim të madh.

Çfarë vjen pas imunitetit të tufës?

Deri më tani, variantet e reja të koronavirusit nuk duket se u rezistojnë vaksinave. Por, sipas profesorit Leshem, një variant i ardhshëm që shfaq rezistencë ndaj vaksinës do të nënkuptonte se njerëzit do të jenë më pak të mbrojtur dhe vendi mund të bëjë hapa prapa në aspektin e arritjes së pragut të imunitetit të tufës.

Nuk është e pakapërcyeshme - mund të arrihet me vaksina të rregullta, sikurse ndodh me vaksinat e përvitshme kundër gripave.

Nëse Izraeli e ka arritur imunitetin e tufës, dhe nëse edhe Britania e arrin, megjithëkëtë ekziston nevoja për stabilitet.

Në këtë aspekt, mund të merret për bazë ajo çfarë ka ndodhur me fruthin, gjatë viteve të fundit. Virusi ishte konsideruar i zhdukur në Mbretërinë e Bashkuar, por Organizata Botërore e Shëndetësisë e riktheu këtë status më 2019, pas “një rritjeje të dukshme” të rasteve me fruth, e cila ka ndodhur pas rënies së numrit të administrimit të vaksinave.

Fruthi është jashtëzakonisht i bartshëm – secili person i infektuar e bart te afërsisht 15 persona të tjerë – kështu që vaksinimi duhet të jetë mbi 90 për qind për t’i parandaluar shpërthimet e infektimeve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat