VOA: Izraeli lehtëson kufizimet pas një fushate masive vaksinimi

Azia

VOA: Izraeli lehtëson kufizimet pas një fushate masive vaksinimi

Më: 18 prill 2021 Në ora: 19:49
Foto ilustrim

Izraelitët dolën pa maska të dielën ndërsa është shfuqizuar urdhëri për përdorimin e maskave në ambjentet e jashtme. Vendi ka ndërmarrë disa hapa për rikthimin tek një realitet sa më normal nxitur nga një fushatë masive vaksinimi kundër pandemisë së koronavirusit.

Rreth 81% e popullsisë së Izraelit mbi moshën 16 vjeç ka marrë dy dozat e vaksinës Pfizer/BioNTech ndërsa infektimet dhe shtrimet në spital kanë rënë ndjeshëm.

Izraeli akoma vazhdon të ketë kufizime për hyrjen e të huajve në vend, ndërsa izraelitët e pa imunizuar që kthehen në vend duhet të izolohen, si rezultat i shqetësimeve se mutacionet e reja mund të sfidojnë vaksinën.

Ministria e Shëndetësisë njoftoi se kishte zbuluar në vend shtatë raste të variantit të ri nga India, rrezikshmëria e të cilit ende po vlerësohej.

Njerëzit kanë filluar të përfitojnë nga zbutja e kufizimeve. Mes tyre është edhe Amitai Hallgarten i cili po lexon gazetën në qendër të Tel Avivit.

“Është disi e çudistshme të jesh pa maskë për herë të parë pas kaq shumë kohësh. Do të bëja gjithçka që t’i japim fund kësaj pandemie.”

Me heqjen e urdhërit policor të dhënë një vit më parë për përdorimin e maskave në ambjente të jashtme, zyrtarët e shëndetit ende rekomandojnë përdorimin e maskave në ambjentet e brendshme publike.

“Po udhëheqim botën kur bëhet fjalë për daljen nga situata e krijuar nga virusi. Por ende nuk kemi përfunduar punën tonë kundër virusit. Mund të kthehet”, tha Kryeministri Benjamin Netanyahu për gazetarët.

Ndërsa kopështet dhe shkollat fillore janë të hapura në atë vend për mësimin nëpër klasa, edhe fëmijët e tjerë nga klasa e gjashtë tek klasa e tetë janë kthyer në bankat e shkollës.

Klasat ushqehen me ajër të pastër dhe të bollshëm si dhe zbatohen udhëzimet për mbajtjen e e distancës mes nxënësve gjatë gjithë kohës në shkollë.

“Kjo është hera e tretë që hapet viti shkollor dhe kemi shpresë që kësaj radhe të vazhdojë deri në fund”, thotë Liat Unger pasi dërgoi fëmijën e saj një shkollë në Tel Aviv.

Ndërsa Izraeli ka hequr rregulloren për mbajtjen e maskave në mjediset e jashtëme dhe ka hapur plotësisht sistemin arsimor, zyrtarët thonë se duhet bërë më shumë për mbrojtjen dhe infektimet nga variantet e reja./VOA

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat