Delegacionet e afganëve dhe talibanëve takohen në Doha

Azia

Delegacionet e afganëve dhe talibanëve takohen në Doha

Më: 17 korrik 2021 Në ora: 17:08
Bisedimet e paqes ndërmjet delegacionit të Qeverisë afgane dhe talibanëve, në Doha Katar më 17 korrik, 2021.

Përfaqësuesit e Qeverisë afgane dhe militantët talibanë më 17 korrik kanë mbajtur bisedime në Doha të Katarit.

Delegacioni i Qeverisë afgane u udhëhoq nga Abdullah Abdullah, kryesues i Këshillit të Lartë për Pajtim Kombëtar. Ndërkaq, ekipi i talibanëve u kryesua nga lideri taliban, Mullah Abdul Ghani Baradar.

“Bisedimet nisën sot ndërmjet Republikës Islamike të Afganistanit dhe delegacionit të lartë afgan”, tha zëdhënësi i Abdullahut, Fraidoon Khwazoon.

“Pas ceremonisë hapëse, shtatë anëtarët e delegacionit nisën diskutimet”, shtoi ai.

Duke folur në ceremoninë hapëse, Baradar tha se “nuk pritet ndonjë përparim” nga këto bisedime. Ai insistoi se Afganistanit i duhet “një sistem i fortë, i centralizuar dhe i pavarur islamik”.

Abdullah theksoi se delegacioni i Qeverisë afgane përbëhej nga zyrtarë të lartë si dhe “gra dhe studiues fetarë”.

Bisedime po mbahen pavarësisht se në mbarë Afganistanin po zhvillohen luftime, teksa forcat e huaja kanë nisur të largohen nga vendi.

Militantët talibanë kanë lansuar dhjetëra ofensiva dhe kanë marrë nën kontroll mbi një çerek të qarqeve në mbarë Afganistanin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat