Viona Rexhepi, la basketbollin për futbollin

Basketboll

Viona Rexhepi, la basketbollin për futbollin

Më: 18 gusht 2021 Në ora: 11:48
Viona Rexhepi, la basketbollin për futbollin

Nga basketbolli në futboll. Kështu ka nisur rrugëtimi i Viona Rexhepit në sport, gardiania që ruan sot portën e Kombëtares shqiptare.

Si thuajse çdo fëmijë, edhe asaj i pëlqente futbolli, por kur ishte 9 vjeçe, prindërit e regjistruan në basketboll.

Ndoqi kurset e këtij sporti për 3 vite, derisa kur ishte në moshën 12 vjeçare, e ëma e regjistroi në një klub futbolli që ishte sapo ishte hapur në atë kohë.

Image

Prindërit e Vionës ishin mendjehapur, nuk u interesonte se çfarë diskutonte shoqëria, mbi idetë e prapambetura se “futbolli nuk është për çika”.  “Kam nisur të luaj fillimisht basketboll, në moshën 9 vjeçare. Më pëlqente futbolli, e kam ndjekur që fëmijë.

Fillimisht fillova ta dashuroj përmes televizorit, më pas nisa të luaj në lagje. Por vetëm kaq. Kur isha 12 vjeçe, mami, pas disa kërkimeve, zbuloi se ishte hapur një klub futbolli për vajza dhe vendosi të më regjistronte. Ajo ishte ndryshe, të paktën kështu e shikoj unë. Kisha shumë shoqe që prindërit i pengonin të merreshin me futboll, ndërsa ime më më mbështeste”.

Ekipi i parë me të cilin ka luajtur Viona ka qenë Kosova e Prishtinës, e ndërsa më pas është transferuar në disa klube të tjera. Fillimisht, ajo ka mbajtur pozicionin e mbrojtësës, por duke qenë se ishte më e vogla në moshë, shoqet e ekipit e shtynin të rrinte në portë. “Ekipi i parë ka qenë Kosova e Prishtinës. Kam një histori të veçantë me këtë klub, pasi unë kam qenë për dy vite mbrojtëse në këtë ekip. Duke qenë se isha më e vogla nga të gjitha vajzat e tjera dhe nuk kishim një portiere të mirëfilltë, më thonin mua të qëndroja në portë. Dhe kështu, pas dy vitesh në mbrojtje kam kaluar në portë. Kam pasur shumë dëshirë të isha lojtare, por tani jam shumë e lumtur që jam në portë. Është përgjegjësi shumë e madhe, por edhe kënaqësi”.

Nga Kosova e Prishtinës drejt Shqipërisë, fillimisht te Juban Danja e më pas të Vllaznia, Viona rrëfen për fshf.org se transferimet i kanë bërë mjaft mirë, duke e zhvilluar më tej dhe duke i dhënë më shumë siguri, sidomos në pozicionin që ajo ka. “Nga Kosova e Prishtinës kam kaluar tek ekipi i Juban Danjës në Shqipëri, ku kam qëndruar për një vit. Kam qenë vetëm 17 vjeçe dhe nuk ka qenë e lehtë, por sot e kuptoj se sa shumë më ka shërbyer kjo lëvizje, pasi më ka zhvilluar më tepër. Nga Juban Danja kam kaluar tek ekipi i Vllaznisë, ku kam luajtur për dy vite, ndërsa më pas kam lëvizur sërish në kampionatin e Kosovës, ku kam luajtur me Hajvalinë, ndërsa prej katër vitesh jam pjesë e ekipit të Mitrovicës, skuadër me të cilën kam kaluar momente të paharrueshme dhe jemi renditur si një nga 32 ekipet më të mira në Europë, pasi kaluam fazën e grupeve në Champions League”. 

Vështirësi ka pasur edhe ajo në lidhje me shkollën, ashtu sikurse çdo futbollist. I është dashur të mungojë dhe mos t’i ndjekë të gjitha orët mësimore në klasë, por kjo nuk e ka penguar të lexojë në shtëpi. Ka pasur një mbështetje të madhe nga mësuesit, të cilët e shihnin me pozitivitet faktin se Viona merrej me sport. “Kam pasur probleme në shkollë, sepse më duhej të bëja mungesa, për shkak se shkoja në stërvitje dhe në ndeshje. Fatmirësisht, mësuesit më kanë mbështetur pasi e shihnin se merresha me sport dhe kjo u pëlqente. Edhe shokët dhe shoqet i kam pasur krah gjatë gjithë kohës. Madje, vinin ndonjëherë dhe më shikonin”. Studimet nuk i kam lënë pas dore, edhe pse mund të mos isha prezente në shkollë, lexoja çdo darkë. Aktualisht jam në vitin e fundit të studimeve në ciklin Master, në degën Edukim Fizik dhe Sport”.

Për të kaluar më pas te Kombëtarja shqiptare, pika e dobët e Vionës. Në çdo grumbullim e qeshur dhe pret me padurim të marrë vesh nëse do të jetë titullare, edhe pse ka më shumë se dy vite që porta i besohet asaj. Fillimisht pjesë e Kombëtares U-19, ku ka qëndruar dy vite, e më pas ka kaluar te Kombëtarja A. “Nuk di nga t’ia nis kur flas për Kombëtaren, është krenaria ime. Kam qenë fillimisht pjesë e Kombëtares U-19, ku kam qëndruar dy vite e më pas jam ftuar të jem pjesë e Kombëtares A. Më është dashur të pres pak kohë, për vendin në 11-shen startuese, pasi nuk jam aktivizuar menjëherë sapo kam ardhur. Por tani, kam më shumë se dy vite që jam pjesë e thuajse çdo ndeshjeje, që nga minuta e parë”.

Për Vionën, Kombëtarja është një familje, një familje e dytë. “Nuk e di, por ndihem si në shtëpi kur vij në grumbullimet e Kombëtares. Jemi bërë një familje, na vlerësojnë dhe i vlerësojmë shumë pjesëtarët e stafit. Me vajzat pastaj jemi shumë të lidhura. Besoj se kjo harmoni kaq e mirë që ekziston brenda grupit do të na ndihmojë që të rritemi edhe më shumë në lojë.

Një histori e dëgjuar edhe më parë, për vajzat që vijnë nga Kosova dhe zgjedhin të përfaqësojnë Shqipërinë. Edhe Viona e ka kaluar një situatë të tillë, teksa ka vendosur që të veshë ngjyrat kuqezi. “Unë zgjodha të luaj me Shqipërinë. Kosova nuk ka qenë pranuar në UEFA dhe FIFA asokohe, por gjithsesi, edhe pasi u pranua, më është bërë ftesë të shkoj te përfaqësuesja e Kosovës por nuk pranova. E kisha vendosur që të vazhdoja me këto ngjyra, ku e kisha nisur. Jemi mësuar që të vegjël me flamurin kuqezi dhe ndihem mirë dhe krenare që përfaqësoj këtë flamur”.

I është dashur të sakrifikojë për futbollin..familjen, që e konsideron gjënë më të shtrenjtë në botë. “Familja, kam qëndruar larg tyre për shumë kohë. Nuk kam qenë ashtu sikurse bashkëmoshatarët e mi, që jetonin gjatë gjithë kohës një jetë normale. Shkoja në shkollë, pastaj në stërvitje, kur vija në shtëpi lexoja e flija. Përpos kohës kur kam qenë pjesë e ekipeve shqiptare që jetoja në Shqipëri”.

Viona është e qartë mbi të ardhmen e saj. Nëse një ofertë tunduese nga jashtë do të shkojë në drejtim të saj, pa diskutim që do ta shqyrtojë. Është një nga synimet kryesore që ka: Të luajë në Europë. “Dëshira ime më e madhe, si dhe tani është synimi i mi, është të luaj në Europë. Normalisht që pres ndonjë ofertë nga jashtë dhe sigurisht që do ta shqyrtoj”.

Është e vështirë për të, të kuptojë prindërit që ende qëndrojnë të palëkundur në idetë e tyre për të mos i regjistruar vajzat në futboll.  

“Nuk e di, por nuk arrij t’i kuptoj prindërit që ende vazhdojnë t’i pengojnë vajzat e tyre që të ndjekin këtë rrugë. Kam pasur fatin e mirë ndoshta që i kam pasur mbështetje që në fillim, edhe tim atë edhe time më, por mendoj se edhe vajzat duhet të luftojnë pak më shumë për veten e tyre. Nëse vërtetë e duan futbollin dhe nëse vërtetë mendojnë se futbolli është më shumë se një lojë për to, duhet të kërkojnë më shumë, nga vetja dhe prindërit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat