Presidenti amerikan, Donald Trump, tha të martën se trysnia e tij ndaj vendeve anëtare të NATO-s për të paguar më shumë për mbrojtjen e tyre, ka çuar në shtimin e kontributeve dhjetëra miliardë dollarëshe, por aleatët duhet të shtojnë edhe më shumë buxhetet e tyre.
Presidenti Trump, shfrytëzoi bisedimet me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg në Shtëpinë e Bardhë, për të diskutuar ndarjen e barrës së aleatëve. Takimi u mbajt një ditë para atij të ministrave të Jashtëm të NATO-s në Washington, në atë që pritet të jetë një sesion i dominuar nga shqetësimet rreth Rusisë.
Presidenti Trump, i cili kishte ushtruar trysni mbi aleatët evropianë duke kërkuar që vendet anëtarë të paguajnë më shumë dhe të lehtësojnë barrën e Shteteve të Bashkuara, tha se taktikat e tij janë shpaguar dhe që kur ka marrë postin, gjërat kanë ndryshuar.
Today, it was my great honor to welcome @NATO Secretary General @JensStoltenberg to the @WhiteHouse! pic.twitter.com/4drPHXZBWH
— Donald J. Trump (@realDonaldTrump) April 2, 2019
"Kemi siguruar mbi 140 miliardë dollarë shtesë dhe duket e do të kemi edhe të paktën 100 miliardë të tjerë nga vendet anëtare deri më 2020”, tha ai.
Presidenti amerikan tha se dëshiron të shohë vendet anëtare të NATO-s të paguajnë më shumë se 2 për qind të prodhimit të përgjithshëm të brendshëm për mbrojtjen. Ai u tha udhëheqësve të NATO-s vitin e kaluar që të rrisin shpenzimet e mbrojtjes në 4 për qind të GDP-së. Ai tha se Shtetet e Bashkuara paguajnë 4.3 për qind të GDP-së së tyre për NATO-n.
Shtëpia e Bardhë në një komunikate tha se presidenti Trump u takua me sekretarin Stoltenberg për të shënuar 70 vjetorin e NATO-s dhe për të ritheksuar mbështetjen amerikane për aleancën. Shtëpia e Bardhë tha se të dy udhëheqësit "shqyrtuan përparimin e paparë të NATO-s për të rritur ndarjen e barrës" dhe diskutuan gjithashtu "përpjekjet e vazhdueshme për të luftuar terrorizmin dhe për të frenuar agresionin rus".
Presidenti Trump tha se një NATO e fuqishme është mburojë përballë Rusisë, por shfaqi besimin se gjërat me Rusinë do të shkojnë rrugës së duhur.
Great discussion with President @realDonaldTrump on keeping #NATO strong. His message on fairer burden sharing is having a real impact. By the end of next year, European Allies & Canada will have added $100 bn to their defence spending. pic.twitter.com/FFsLoZqUcA
— Jens Stoltenberg (@jensstoltenberg) April 2, 2019
“Shpresoj se nuk do të jetë një kërcënim për sigurinë. Unë mendoj se do të punojmë së bashku me Rusinë”, tha presidenti Trump, fushata presidenciale e të cilit ishte shënjestër e një hetimi dy vjeçar nga një prokuror i posaçëm, për lidhjet e dyshuara me Moskën.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha ndërkaq se Rusia është duke shkelur Traktatin e vitit 1987 mbi Raketat Bërthamore me Rreze të Mesme Veprimi, duke nënvizuar se aleatët e NATO-s i kanë mbështetur fuqishëm Shtetet e Bashkuara rreth kësaj çështjeje”.
Përvjetori i NATO-s – pa shumë bujë
NATO-ja po shënon zyrtarisht 70 vjetorin e saj në Washington këtë javë, por më shumë më pak bujë se sa mund të pritej, meqë partnerët e aleancës ulën shkallën e kremtimeve në një takim të ministrave të jashtëm, për të shmangur rrezikun e sulmeve të mëtejshme verbale nga presidenti i Shteteve të Bashkuara.
Shumica e ekspertëve të politikës së jashtme amerikane thonë se NATO-ja është një nga aleancat më të suksesshme ushtarake në histori dhe është larg të qenit e padobishme.
"Aleanca ka treguar aftësi për t'u përshtatur ndaj ndryshimeve, që nga ringritja e Rusisë e deri tek trajtimi i çështjeve të sigurisë kibernetike. NATO-ja po përshtatet dhe aleatët po shpenzojnë më shumë për mbrojtjen", tha për Zërin e Amerikës, Mark Simakovsky, ekspert me Këshillin e Atlantikut. /VOA