Netanyahu do t’ia aneksojë Izraelit një pjesë të Bregut Perëndimor

Bota

Netanyahu do t’ia aneksojë Izraelit një pjesë të Bregut Perëndimor

Më: 7 prill 2019 Në ora: 08:28
Benjamin Netanyahu

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se do t’ia aneksojë Izraelit vendbanimet izraelite që ndodhen në Bregun Perëndimor, nëse rizgjidhet sërish në këtë pozitë.

Izraelitët do të votojnë të martën dhe Netanyahu është në garë me partitë e krahut të djathtë, të cilat e mbështesin aneksimin e një pjese të Bregut Perëndimor.

Këto vendbanime janë ilegale sipas ligjeve ndërkombëtare, por Izraeli e mohon një gjë të tillë.

Muajin e kaluar, Shtetet e Bashkuara e njohën Rrafshnaltën e Golanit si pjesë të territorit të Izraelit, e cila i ishte marrë Sirisë në vitin 1967.

Izraeli i ka vendosur rreth 400 mijë hebrenj në vendbanimet e Bregut Perëndimor dhe 200 mijë të tjerë në pjesën lindore të Jerusalemit. Në Bregun Perëndimor jetojnë rreth 2.5 milionë palestinezë.

Palestinezët synojnë ta themelojnë shtetin e tyre në Bregun Perëndimor, Jerusalemin Lindor dhe në Rripin e Gazas.

Izraeli thotë se palestinezët po e përdorin çështjen e këtyre vendbanimeve si pretekst për t’i shmangur bisedimet e drejtpërdrejta për paqe. Sipas këtij shteti, vendbanimet nuk janë pengesë e vërtetë për arritjen e paqes dhe se ato janë të negociueshme.

Kur u pyet nga një gazetar se pse ai nuk e ka zgjeruar sovranitetin e Izraelit në vendbanimet e Bregut Perëndimor, Netanyahu tha: “Po më pyesni nëse do të kalojmë në fazën tjetër. Përgjigjja është po, ne do të kalojmë në fazën tjetër”, shkruan “BBC”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat