Kim thotë se është i gatshëm të takohet sërish me Trumpin - Bota Sot
Kim thotë se është i gatshëm të takohet sërish me Trumpin

Bota

Kim thotë se është i gatshëm të takohet sërish me Trumpin

Më: 13 prill 2019 Në ora: 09:38
Udhëheqësi verikorean, Kim Jong-un dhe presidenti i SHBA-së, Donald Trump, në Hanoi të Vietnamit.

Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong-un ka thënë se ai do të merrte pjesë në një samit të tretë me presidentin amerikan, Donald Trump, por vetëm nëse SHBA-ja do të kishte “qëndrimin e duhur”.

Media shtetërore verikoreane raportoi se gjatë një fjalimi Kim Jong-un i bëri thirrje Trumpit që të punonte për një marrëveshje e cila do të ishte “e drejtë” dhe e “pranueshme” për të dyja shtetet, transmeton BBC.

Dy udhëheqësit fillimisht ishin takuar në Singapor vitin e kaluar. Megjithatë, në samitin e dytë që u mbajt në muajin shkurt në Hanoi të Vietnamit, dy liderët nuk arritën ndonjë marrëveshje sa i përket denuklearizimit të Gadishullit Korean.

Presidenti Trump kishte deklaruar se zyrtarët verikoreanë kanë kërkuar heqjen e sanksioneve ekonomike, në këmbim të shkatërrimit të vendeve bërthamore, gjë që e shtyri presidentin amerikan që të largohej nga takimi.

Megjithatë, zyrtarët verikoreanë kanë shprehur mendim krejt tjetër lidhur me shkakun që çoi drejt dështimit të samitit të dytë Trump-Kim.

Kim, sipas medias shtetërore verikoreane, ka deklauar se samiti me Trumpin kishte krijuar tek ai “një dyshim të madh” lidhur me atë nëse vërtetë SHBA-ja dëshiron të përmirësojë marrëdhëniet me Korenë e Veriut.

“Ne jemi të gatshëm të provojmë edhe njëherë nëse SHBA-ja dëshiron të mbajë një samit të tretë me qëndrim të duhur dhe me kushte që do të ishin të pranueshme për të dyja palët”, citohet të ketë thënë Kim.

Ai ka thënë se SHBA-ja “gabimisht po beson se nëse na bëjnë presion deri në maksimum, do të mund të na nënshtrojnë”.

Megjithatë, Kim shtoi se lidhjet e tij personale me presidentin Trump mbeten “të shkëlqyera”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...