Kanadaja ofron përkrahje për Ukrainën e sulmuar nga Rusia

Bota

Kanadaja ofron përkrahje për Ukrainën e sulmuar nga Rusia

Më: 3 korrik 2019 Në ora: 09:20
Justin Trudeau dhe Volodymyr Zelenskiy

Kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau, është zotuar se do të ofrojë përkrahje për Ukrainën për ta mbrojtur këtë shtet ndaj, siç tha ai, agresionit dhe aneksimit ilegal të gadishullit ukrainas të Krimesë nga Rusia.

Trudeau e dha këtë deklaratë të martën pas takimit me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy në kuadër të Konferencës së Reformave të Ukrainës, e cila po mbahet në Toronto të Kanadasë.

“Në kohën e agresionit rus dhe përpjekjeve për ta minuar sovranitetin e Ukrainës, përfshirë aneksimin e Krimesë, është shumë e rëndësishme për shtetet si Kanadaja të qëndrojnë përkrah partnerit të vet”, tha Trudeau.

“Veprimet e Rusisë nuk janë kërcënim vetëm për Ukrainën, por edhe për ligjet ndërkombëtare”, shtoi kryeministri kanadez.

Në këtë konferencë po marrin pjesë përfaqësues nga tridhjetë shtete të ndryshme, Bashkimi Evropian dhe organizata ndërkombëtare, si Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore dhe NATO-ja.

E planifikuar të përfundojë të enjten, më 4 korrik, kjo ngjarje ka për qëllim të sigurojë përkrahje ndërkombëtare për procesin e reformave në Ukrainë dhe për rrugën e këtij shteti drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO, shkruan “Free Europe”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat