Britania përfshihet nga debatet e brendshme për ambasadorin e ri në SHBA

Bota

Britania përfshihet nga debatet e brendshme për ambasadorin e ri në SHBA

Më: 11 korrik 2019 Në ora: 16:53
Flamuri britanik

Emërimi i ambasadorit të ri britanik në Shtetet e Bashkuara, ka të ngjarë të bëhet nga kryeministri i ardhshëm, tha sekretarja britanike e Thesarit, Liz Truss.

Ambasadori i Britanisë në Uashington, Kim Darroch, dha dorëheqjen të mërkurën, pas disa ditë kritikash nga presidenti amerikan, Donald Trump.

Truss tha se procesi i zgjedhjes së një ambasadori të ri, ka gjasa të zgjasë disa muaj, dhe prandaj ky proces do të bëhet nga pasardhësi i kryeministres britanike në largim, Theresa May.

Kryeministri i ri i Britanisë së Madhe, pritet të shpallet më 23 korrik.

Zyrtarë tjerë të lartë britanikë, kanë thënë se ambasadori i ri i Britanisë në Shtetet e Bashkuara duhet të jetë personi më i mirë, për interesat afatgjatë të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Ndërkohë, Boris Johnson, që ka gjasa të bëhet kryeministër i Britanisë, mohoi përfshirjen në rastin e ambasadorit, Kim Darroch.

Politikanët nga partitë qeverisëse dhe opozitare fajësuan Johnsonin për mos mbrojtje të ambasadorit Darroch, dhe thanë se largimi i ambasadorit britanik në bazë të presionit të një udhëheqësi të huaj, ishte një goditje serioze ndaj diplomacisë dhe pushtetit britanik.

Ambasadori i Britanisë në Uashington, Kim Darroch, dha dorëheqjen të mërkurën, pas disa ditë kritikash nga presidenti amerikan Donald Trump, për shkak të daljes në publik të disa dokumenteve të fshehta, në të cilat ai e quante administratën e presidentit Trump si të “paaftë”.

Trump, e quajti më pas ambasadorin Kim Darroch si “shumë budalla” dhe njoftoi se nuk do të bashkëpunojë më të.

Qeveria britanike fillimisht shprehu mbështetjen për ambasadorin, mirëpo më pas ai dha dorëheqje, duke thënë se mandati i tij do të përfundonte në fund të këtij viti, porse ai beson se "në rrethanat e tanishme, është e drejtë të lejohet emërimi i një ambasadori të ri".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat