Një botë e ndarë kundër një armiku të përbashkët – 25 milionë njerëz të infektuar me COVID-19

Bota

Një botë e ndarë kundër një armiku të përbashkët – 25 milionë njerëz të infektuar me COVID-19

Më: 29 gusht 2020 Në ora: 23:49
Foto ilustrim

Numri i njerëzve të infektuar me virusin COVID-19 në botë ka kaluar 25 milionë.

Sipas të dhënave të worldometeres, në botë janë regjistruar 25,040,371 raste të coronavirusit. Aktualisht janë 6.804.889 aktivë, nga të cilët mbi 60 mijë janë në gjendje kritike.

Situata më e keqe është në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ka më shumë se gjashtë milionë të infektuar dhe mbi 185 mijë viktima.

Kujtojmë se virusi SARS-CoV-2 u shfaq për herë të parë në dhjetor të viti 2019 në Kinë, por u regjistrua zyrtarisht më 24 janar të vitit 2020, në qytetin kinez Wuhan, i cili u bë vatër e infeksionit.

Provinca e Hubei ndaloi trafikun e brendshëm të udhëtarëve dhe e vendosi qytetin në karantinë gjersa më 29 mars u njoftua se epidemia ishte “mposhtur” në Kinë.

Gjersa të gjithë shtetet e botës menduan se nuk do të preken nga virusi, në vetëm tre muaj, coronavirusi u përhap në Azi dhe Lindjen e Mesme, ku Irani u prek më shumë.

Tashmë në shkurt dhe mars, situata u bë më e ndërlikuar në Evropë, dhe situata më e keqe ishte në Itali, ku 969 njerëz vdiqën në një ditë më 27 mars nga COVDI-19.

Lombardia ishte më e goditura, disa rajone u karantinuan dhe imazhe të frikshme nga spitalet italiane udhëtuan nëpër botë.

Shtetet e Bashkuara më të prekurat, Trump fajëson Kinën

Qysh në maj, virusi i shkaktoi probleme të mëdha Shteteve të Bashkuara, kështu që kjo pjesë e botës ishte në fokusin e njerëzimit, ndërsa u deshën disa muaj që aktiviteti i virusit të qetësohej në Itali dhe Mbretërinë e Bashkuar, të cilat u goditën rëndë.

Presidenti amerikan Donald Trump së pari mohoi virusin, kur tha se ishte “kinez” dhe që nga fillimi akuzoi Republikën Popullore të Kinës se ishte prapa përhapjes së infeksionit, dhe zyrtarët amerikanë madje pretenduan se shteti kinez me qëllim dërgoi turistët e infektuar në SHBA.

Konflikti arriti kulmin me vendimin e Shteteve të Bashkuara për të ndaluar financimin e Organizatës Botërore të Shëndetit dhe Shtetet e Bashkuara u tërhoqën zyrtarisht nga organizatë më 6 korrik, transmeton Telegrafi.

Trump më pas njoftoi se do të pezullonte financimin e OBSH-së sepse “dështoi në detyrën themelore” gjatë reagimit ndaj epidemisë së coronavirusit.

Është interesante se presidenti amerikan parashikoi që coronavirusi t’ua merrte jetën mbi 70 mijë njerëzve në Shtetet e Bashkuara gjersa sot ka më shumë se 185 mijë viktima të regjistruar, vendi me më së shumti të vdekur në botë.

Presidenti brazilian minimizoi virusin dhe më pas u infektua

Brazili është shembulli më i mirë se sa aktiv është virusi në Amerikën Latine.

Rreth 3,800,000 njerëz janë infektuar në këtë shtet gjersa rreth 120 mijë brazilianë kanë ndërruar jetë.

Presidenti Jair Blosonaro minimizoi ekzistimin e virusit, madje e quajti atë “grip të vogël”, por më 7 korrik konfirmoi se ishte infektuar me coronavirus.

Vetëm pas testimit të katërt më 25 korrik, Bolsonaro u raportua se ka dal negativ, por virusi nuk ndaloi së qarkulluari në këtë shtet amerikano-latin.

Në korrik, një milion njerëz u infektuan me coronavirus në vetëm 27 ditë. Problemi më i madh janë favelat (vendbanimet e mbi populluara braziliane) dhe vendet ku është vështirë të mbahet higjiena, si dhe distanca fizike – dy masa kryesore për të luftuar përhapjen e virusit.

India, vatra më e madhe aktuale e coronavirusit

Aktualisht, vatra më e madhe e coronavirusit në botë është India, ku virusi, sipas zyrtarëve të këtij vendi, po infekton më shumë se 50 mijë njerëz në baza ditore.

India regjistroi të shtunën 76 mijë raste të reja nga coronavirusi gjersa kanë ndërruar jetë 1021 persona.

Në vendin më të populluar në botë, pothuajse 3,500,000 njerëz janë të infektuar dhe deri në 1,000 njerëz vdesin çdo ditë.

Dhe Kosova

Sipas të dhënave të fundit, nëntë persona të tjerë vdiqën në Kosovë dhe 115 raste të reja u regjistruan gjatë 24 orëve të fundit.

Që nga fillimi i epidemisë, 508 pacientë kanë vdekur dhe prania e virusit është konfirmuar në 13215 persona.

Numri total i njerëzve që u testuan deri më tani është 50.223, të cilët u dyshuan se ishin infektuar me virusin SARS-CoV-2.

Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 116 pacientë derisa numri i përgjithshëm i pacientëve të shëruar deri më sot është gjithsej 9.355 raste, kurse numri i rasteve aktive është 3.352.

Le të kujtojmë, statistikat tregojnë se “dita e zezë” për Kosovën ishte 10 korriku, kur ishin 276 raste të reja të infektuar me coronavirus gjersa kanë vdekur tetë persona.

Ndryshe, ky është një përmirësim i dukshëm në krahasim me periudhën e mëparshme, por një sfidë e madhe është fillimi i vitit shkollor, i cili pritet të fillojë më 14 shtator.

Vaksina

E gjithë bota po e kërkon një vaksinë kundër COVID-19, megjithatë vaksina e parë e raportuar deri më tani është e Rusisë, e cila deri më tani është kontestuar nga shumica e shkencëtarëve botëror, por edhe disa mjekë rus.

Pak më vonë, më 17 gusht, kompania kineze raportoi vaksinën e parë të mundshme kundër coronavirusit të quajtur “Ad5-nCOV”, por duke mos dhënë detaje rreth saj.

Përveç tyre, zbulimin e një vaksine po mundohet ta bëjë edhe Gjermania, Mbretëria e Bashkuara, SHBA-ja dhe vendet e tjera, por duhet të theksohet se asnjë prej tyre nuk ka marrë miratimin për përdorim në botë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat