“Dua të jem princeshë për 1 ditë” 5-vjeçarja me kancerin e rrallë bën më në fund ëndrrën realitet

Bota

“Dua të jem princeshë për 1 ditë” 5-vjeçarja me kancerin e rrallë bën më në fund ëndrrën realitet

Më: 3 shkurt 2021 Në ora: 17:00
Arianna Taft

Babai i saj pa shumë ngjashmëri midis Arianna-s dhe Elsës nga “Frozen”. 

Arianna Taft, një vajzë pesëvjeçare, po lufton me një formë të rrallë kanceri në veshka. Babai i saj ka folur për revistën “People”, se ajo e hoqi një veshkë pasi u diagnostikua me një tumor 13 cm, por përsëri kishte kancer në veshkën tjetër, mushkëri, mëlçi dhe në nyjet limfatike.

Këtë muaj, Arianna jetoi ëndrrën e saj, me realizimin e një seti të mrekullueshëm fotografik me princesha Disney. Ajo u vesh si princeshat e saj të preferuara: Snow White, Elsa nga “Frozen”, Belle nga “Beauty and the Beast” dhe Merida nga “Brave”.
Pas kësaj ideje qëndron Ashley Richer, një fotografe në Rhode Island, e cila bën rregullisht sete fotografike falas për fëmijët me kancer.

Ajo i ka fotografuar fëmijët si princesha, si sirena dhe si superheronj. Richler u lidh me familjen e Arianna-s, pasi dëgjoi për ta nga një klient.

“Unë thjesht doja të bëja diçka për ta lumturuar atë”,- tha Richer për HuffPost Canada.

Richer bleu kostumet dhe vendosi Ariannën përpara një ekrani të gjelbër. Më vonë ndryshoi sfondet e fotografive në kompjuterin e saj.

Sipas Richer, Arianna dëshironte dhe ishte shumë e emocionuar për të qenë personazhi i Snow White.

Richer e filloi profesionin si fotografe pasi problemet e saj shëndetësore binin në kundërshtim me planet që kishte për jetën. Ishte vetëm 24 vjeç kur dëmtoi arteriet e saj karotide (të cilat furnizojnë trurin me oksigjen), e cila i preku të gjithë anën e majtë të trupit.

Ajo duhej të linte punën si mësuese për shkak të komplikacioneve që i krijoheshin, gjë që bëri që të rivlerësonte përparësitë e saj dhe në fund të fundit të ndërtonte një biznes fotografie.

Ajo ndan historinë e saj me fëmijët me të cilët punon, të cilët janë aq të rritur sa t’i kuptojnë të gjitha.

“Unë luftova që të hiqja dorë nga të gjitha sportet që më pëlqenin, duke mos qenë në gjendje të jetoja jetën që isha mësuar”,- tha ajo. “Kështu që unë do ta ndaj historinë vetëm për pak shpresë, ndërsa ata po e kalojnë një moment të vështirë.”

Kur Arianna filloi të humbasë flokët  pasi filloi kimioterapinë, babai i saj Ryan dhe e dashura e tij, Taylor Seaboyer, qethën kokën për solidaritet.

Babai i saj pa shumë ngjashmëri midis Arianna-s dhe Elsës nga “Frozen”.

“Ajo duket si Elsa, kur merr fuqitë e saj magjike dhe thjesht po krijon një stuhi”, tha ai për People. “Kjo është gjithçka që mishëronte Arianna që kur u shfaq ai film.”

Richer tha se do të kishte siguruar paruke nëse Arianna do t’i donte ato – por në dy vjet ajo po bën xhirime fantastike për fëmijët me kancer dhe askush nuk i ka kërkuar ndonjëherë të duket ndryshe.

“Perspektiva ime si fotografe është të shoh atë bukuri natyrore dhe thjesht t’i ndihmoj ata të jenë të qetë në lëkurën e tyre dhe të mësohen me këtë pamje të re, duke qenë tullac, të bukur dhe të guximshëm” – tha ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat