Zhbllokohet anija në Kanalin e Suezit, rifillon trafiku

Bota

Zhbllokohet anija në Kanalin e Suezit, rifillon trafiku

Më: 29 mars 2021 Në ora: 15:43
Anija në Kanalin e Suezit

Anija gjigande e kontejnerëve që bllokoi Kanalin e Suezit për gati një javë u zhbllokua plotësisht të hënën dhe trafiku në rrugën ujore po rifillon, tha autoriteti i kanalit në një deklaratë.

Anija e madhe e kontejnerëve Ever Given nisi të zhvendoset të hënën dhe më në fund rruga ujore u rihap për anijet e shumta që presin në radhë për të kalur përmes kanalit.

Anija me gjatësi 400 metra u bllokua diagonalisht të martën e kaluar në pjesën jugore të kanalit në kushtet e erërave të forta, duke penguar trafikun në kanal.

Pas gërmimit gjatë fundjavës, ekipet e shpëtimit u përpoqën të bëjnë zhbllokimin të hënën, duke përdorur anije tërheqëse.

Trafiku detar nëpër kanal, që është edhe rruga më e shkurtër e transportit midis Evropës dhe Azisë, do të rifillojë sapo anija të jetë zhvendosur në një zonë më të gjerë të kanalit, thanë autoritetet.

Të paktën 369 anije ishin në pritje për të kaluar, mes tyre dhjetra anije kontejnerësh si dhe cisterna nafte dhe gazi të lëngshëm, thanë zyrtarët.

Ata kanë thënë se trafiku nëpër kanal do të përshpejtohet.

Por ata shtojnë se mund të duhen dy deri në tre ditë për kalimin e të gjitha anijeve që janë aktualisht në pritje.

Grupi i transportit Maersk tha se mund të duhen javë ose muaj për të kapërcyer çrregullimet që bllokimi i kanalit shkaktoi në transportin global detar.

Kjo ka sjellë vonesa të kushtueshme për kompanitë, të cilave u duhet të përballojnë edhe kufizimet për shkak të koronavirusit.

Çmimet e transportit për cisternat e produkteve të naftës gati janë dyfishuar pas bllokimit të anijes Ever Given./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat