REL: Biden i kërkon Putinit ulje të tensioneve në kufi me Ukrainën

Bota

REL: Biden i kërkon Putinit ulje të tensioneve në kufi me Ukrainën

Më: 13 prill 2021 Në ora: 19:22
Joe Biden, Vladimir Putin

Presidenti amerikan Joe Biden i ka kërkuar homologut të tij rus Vladimir Putin që të marrë masa për ulje të tensioneve me Ukrainën, dhe ka propozuar mbajtjen e një samiti në mes të dy liderëve, në ndonjë shtet të tretë.

Në një bisedë telefonike, të zhvilluar më 13 prill, Biden “ka shprehur shqetësimet tona për rritjen e prezencës ushtarake ruse në Krimenë e pushtuar dhe në kufi me Ukrainën, dhe ka bërë thirrje për ulje të tensioneve nga ana e Rusisë”, është thënë në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë.

Fotografitë e fundit, vide-incizimet dhe të dhëna tjera, tregojnë për rritje të prezencës së ushtrisë ruse në kufi me Ukrainën dhe Gadishullin e Krimesë, që Moska e ka aneksuar më 2014.

Këto të dhëna kanë rritur shqetësimet se Rusia është duke u përgatitur për dërgim të forcave në Ukrainë.

Disa analistë kanë thënë se veprimet e fundit të Rusisë mund të jenë test për administratën Biden dhe përkushtimin që ka ndaj Ukrainës.

“Presidenti Biden ka rikonfirmuar qëllimin e tij për ndërtim të marrëdhënieve stabile dhe të parashikueshme me Rusinë, në përputhje me interesat amerikane, dhe ka propozuar që samiti të zhvillohet në një shtet të tretë në muajt vijues, për të diskutuar një mori çështjesh, që kanë të bëjnë me Shtetet e Bashkuara dhe Rusinë”.

Nëse realizohet, ky do të ishte samiti i parë në mes të Putinit dhe Bidenit, i cili ka marrë pozitën e presidentit, i cili është zotuar për qasje më të ashpër ndaj Moskës, sesa paraardhësi i tij Donald Trump.

Kjo thirrje ka ardhur pasi ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba, ka zhvilluar takime me Sekretarin amerikan të Shtetit Antony Blinken dhe shefin e NATO-s, Jens Stoltenberg më 13 prill, duke shprehur shqetësimin e thellë për rritjen e prezencës ruse.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat