Ka ndodhur gjithnjë, çfarë pritet tani pas pandemisë së koronavirusit

Bota

Ka ndodhur gjithnjë, çfarë pritet tani pas pandemisë së koronavirusit

Më: 3 qershor 2021 Në ora: 20:10
ilustrim

Kur flitet për pasojat ekonomike të Covid-19, simptomat më të këqija mund të mos shfaqen derisa koronavirusi të nisë të tërhiqet. Në mbarë Evropën, pandemia dhe bllokimet e saj i përshpejtuan tendencat si automatizimi dhe pabarazia ekonomike.

Njëherazi, ato i vendosën trazira politike në një lloj “ngrirjeje të thellë”, duke i lënë të ziejnë nga përbrenda tensionet më themelore. Ndihma ekonomike emergjente, ndalimet e dëbimeve nga shtëpitë, shtyrjet e shlyerjes së kredive, ishin masat e përkohshme që parandaluan disa nga dëmet e shkaktuara nga goditja më e madhe globale që nga Lufta e Dytë Botërore.

Por faturat do të rifillojnë të paguhen së shpejti, teksa paketave të ndihmës po u vjen fundi, çka do të thotë se “vera e rimëkëmbjes ekonomike”  rrezikon të shndërrohet në një “dimër të gjatë”, të karakterizuar nga një diferencë në rritje e të ardhurave dhe mosmarrëveshje sociale.

Ndërsa ekonomitë po dalin nga pandemia, politikë-bërësit janë përballë një zgjedhjeje shumë të vështirë:Të lehtësojnë vuajtjet e atyre që preken më shumë nga pandemia, apo të përdorin fluksin e paparë të parave për t’u garantuar një të ardhme më të gjelbër.

Nëse “dimri ekonomik” do të jetë i gjatë dhe i rëndë për shumëkënd, siç edhe presin shumë ekonomistë, publiku do ta ngrejë më siguri zërin:nëse jo në kutitë e votimit, atëherë me protesta në rrugë. Një studim i fundit i FMN, zbuloi se trazirat sociale janë rritur gjithnjë pas pandemive të tjera që kanë goditur botën dekadat e fundit, dhe ato arrinin kulmin mesatarisht 2 vite pasi kalonte kriza shëndetësore.

Gjatë pandemisë aktuale, pabarazia ekonomike ishte burimi i shumë veprimeve të duhura, por jo dhe aq shumë në fakt. Në Evropë, u zbehën protestat popullore si ato të Jelekë-verdhëve në Francë – të nxitura nga rritja e çmimit të karburantit – ashtu edhe grevat e sektorit publik kundër reformave të tregut punës në Greqi.

Po kështu, një vështrim i përgjithshëm mbi të dhënat, tregon se gjërat sikur nuk janë dhe aq keq. Për shembull sipas Eurostat, falimentimet e bizneseve ranë në fillim të pandemisë, dhe janë ende shumë poshtë normës së tyre na krahasim me fundin e vitit 2019.

Disa studime sugjerojnë se gjatë pandemisë u reduktua edhe hendeku midis pagave. Por e gjitha është një mirazh. Frika nga infektimi dhe masat emergjente, të cilat u dhanë mundësi autoriteteve të kufizojnë lëvizjet e qytetarëve, i dhanë fund protestave në rrugë, thonë ekonomistët, por jo ankesave që i motivuan ata.

Këto të fundit do të vijnë vetëm duke u përkeqësuar. Më shumë se 40 për qind e të anketuarve në një sondazh të OECD me 25.000 qytetarë në 25 vende, thanë se përjetuan probleme në punën e tyre për shkak të koronavirusit, duke përfshirë edhe uljen e pagës.

Gjithsesi tani për tani, subvencionet emergjente dhe mbrojtjet nga falimentimi, e kanë fshehur koston reale të pandemisë, e cila mbylli në shtëpi fuqinë punëtore me aftësi kryesisht të ulëta në sektorët e shërbimit dhe prodhimit. “Kur të përfundojnë skemat e ndihmës, atëherë do të shohim ndikimin e vërtetë të pandemisë”- thotë José García-Montalvo, profesor i hulumtimeve në Shkollën Ekonomike të Barcelonës.

Në Spanjë, pabarazia në të ardhura u rrit gjatë 6 javëve të para të bllokimeve pranverën e vitit të kaluar, pasi sektori i turizmit u mbyll plotësisht. Plani emergjent i shpëtimit i qeverisë në Madrid, u garantoi punëtorëve rreth 70 për qind të të ardhurave të tyre të mëparshme, duke e ulur disi hendekun mes pagave.

Qeveria është në diskutime për ta vazhduar ndihmën deri në muajin shtator, por telashet mund të jenë ende rrugës. “Ne nuk e kemi parë ende fjalën e fundit të kësaj krize”- tha García Montalvo. Por sado e rëndë që ka qenë pandemia e Covid-19 me 3.4 milion të vdekurit që ka shkaktuar në të gjithë botën, ajo nuk është si pandemia e Vdekjes së Zezë.

Shfarosja e rreth gjysmës së popullsisë së Evropës në shekullin XIV-të, shkaktoi zhdukjen e pasurisë së elitave, dhe e reduktoi ndjeshëm numrin e punëtorëve të pakualifikuar që ishin të  nevojshëm për të punuar tokën, duke ndikuar kësisoj në reduktimin e pabarazisë.

Ndërkohë, pandemia e koronavirusit e përshpejtoi kërkesën për fuqi punëtore me aftësi të larta. Në rajonin belg të Flandrës, janë të punësuar vetëm rreth 74 për qind e të rriturve. Por 2/3 e 600 kompanive të anketuara nga shoqata e biznesit në muajin maj, thanë se e kanë shumë të vështirë të gjejnë punëtorë të përshtatshëm.

“Kombinimi i pabarazisë së perceptuar dhe i humbjes së të ardhurave, nxit ankesat dhe trazira sociale”- thotë Rui Xu, ekonomiste në FMN, që ka analizuar pandemitë e dikurshme. Dhe trazirat sociale shkaktojnë një dëm ekonomik me vete. “Pra, sapo të hyjmë në një cikël të tillë, efekti do të zgjasë më shumë se sa vetëm 1 ose 2 vjet”- theksoi Xu.

Dhe analiza e saj paralajmëron rrezikun e një “cikli vicioz”. Duke vëzhguar pasojat e pandemive të tjera të kohëve të fundit – përfshirë SARS, H1N1 dhe Zika – ajo zbuloi se prodhimi ekonomik nuk u rrit, por ishte rreth 10 për qind më pas 5 vjet më vonë.

Xu dhe bashkautorja e studimit, Tahsin Saadi Sedik, thonë se ndërhyrjet e politikave mund të shmangin disa nga këto trazira, por nuk është plotësisht e qartë se cila funksionon më mirë.

Përveç precedentit historik, ka shumë arsye pse kjo pandemi mund t’i vendosë vendet nën një presion të paparë.

Ndërsa koronavirusi e paralizoi shoqërinë, ai përshpejtoi tendencat përçarëse të automatizimit dhe dixhitalizimit. Robotët treguan se kanë edhe një avantazh tjetër ndaj homologëve të tyre njerëzorë të prirur për gabime, dhe që kërkojnë pagesa të përmuajshme:Ata janë imunë ndaj viruseve (të paktën të llojit biologjik).

Bizneset që përgatiten për pandeminë tjetër, po bëjnë investime afatgjata në makineri të tilla nëpër  fabrika, ndërsa shërbimet e takimeve dixhitale do të ruajnë vendet e punës vetëm për punëtorët e tyre të jakave të bardha. Ndërkohë, fakti që Covid-19 goditi më shumë njerëzit e varfër, do ta bëjë edhe më të vështirë rimëkëmbjen e tyre ekonomike.

Njerëzit që jetonin në hapësira të ngushta, dhe që u duhej të paraqiteshin personalisht për punë, ishin më të prirur të prekeshin nga virusi, në një kohë që kanë sëmundje para-ekzistuese që mund ta bëjnë më serioze sëmurjen e tyre.

Statusi socio-ekonomik është i lidhur edhe me qëndrimet ndaj vaksinave dhe aftësinë për t’i marrë ato. Një sondazh në Britani me të rritur në moshë pune, zbuloi nivele hezitimi ndaj vaksinimit në masën 12-14 për qind tek ata që fitojnë më pak se 30.000 paund në vit, krahasuar me vetëm 5 për qind tek ata që fitojnë më shumë se 40.000 paund në vit.

Ndërkohë, bllokimet kanë shkaktuar një dëm të madh mbi shëndetin mendor. Një studim në Austri zbuloi se pas vetëm 4 javë bllokimi, depresioni dhe pagjumësia ishin në rritje të tek gjitha kategoritë. Por të rriturit nën 35 vjeç, gratë, të varfrit dhe të papunët, ishin më rëndë nga të tjerët.

Pasojat e pandemisë, mund të kenë po aq ndikim në politikë sa vetë Covid-19. Me gjithë sistemet e forta të shteteve evropiane të mirëqenies sociale, mbrojtjet nuk janë aq të forta: Rreth dy të tretat e njerëzve që humbën vendet e punës para Covid-19, nuk kualifikoheshin për të marrë përfitime për shkak të papunësisë, thotë Mark Pearson, zëvendësdrejtori i punësimit, punës dhe çështjeve sociale në OECD.

Politikanët kritikohen zakonisht për dritëshkurtësi. Por, duke përdorur stimulin post-Covid si një mjet për të transformuar ekonominë, Brukseli rrezikon të sakrifikojë të tashmen për të ardhmen, duke shkaktuar potencialisht edhe reagimin e qytetarëve./Politico.eu

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat