Në Rripin e Gazës ushtria izraelite plagosi 24 palestinezë

Bota

Në Rripin e Gazës ushtria izraelite plagosi 24 palestinezë

Më: 22 gusht 2021 Në ora: 09:57
Foto ilustrim

Ushtria izraelite plagosi  24 palestinezë, përfshirë një djalë 13-vjeçar i cili u qëllua në kokë, ndërsa protestuesit hodhën gurë dhe dogjën goma në protestat në Rripin e Gazës.

Qindra njerëz morën pjesë në demonstratat e sotme, të cilat u bënë të dhunshme pasi dhjetëra njerëz iu afruan gardhit të fortifikuar të kufirit, dogjën goma dhe hodhën gurë ndaj ushtarëve izraelitë të cilët qëlluan me gaz lotsjellës dhe më pas qëlluan mbi protestuesit.

Ministria e Shëndetësisë në Gaza, e cila menaxhohet nga Hamasi, njoftoi se 24 palestinezë u plagosën nga zjarri izraelit, dy prej të cilëve, përfshirë një djalë 13-vjeçar, janë në gjendje kritike.
 

Në një deklaratë, ushtria izraelite deklaroi se trupat u përgjigjën me municion të gjallë, pasi qindra palestinezë demonstruan dhunshëm në kufirin midis Gazës dhe Izraelit.

Izraeli njoftoi të enjten se kishte arritur një marrëveshje me Katarin që vendi të vazhdonte të paguante ndihma për mijëra familje në Rripin e Gazës, një hap që synonte zbutjen e tensioneve në territorin palestinez të kontrolluar nga Hamasi, pas një konflikti 11-ditor në maj.

Katari ka dhënë qindra miliona dollarë për familjet më të varfra në Gaza në vitet e fundit, dhe këto fonde kanë qenë një burim kyç i stabilitetit për këtë territor të varfëruar, ku papunësia po sillet rreth 50 përqind.

Sidoqoftë, pas konfliktit me Hamasin në maj, Izraeli bllokoi pagesat, duke shpjeguar se ishte një masë mbrojtjeje në mënyrë që paratë të mos arrinin tek anëtarët e asaj lëvizjeje, pasi sipas sistemit që funksiononte para konfliktit, rreth 30 milion dollarë në para të gatshme çdo muaj dërgohet në Gaza përmes një kalimi të kontrolluar nga Izraeli.

Të paktën 254 njerëz u vranë gjatë konfliktit të majit në Gaza dhe Izrael, përfshirë 67 fëmijë dhe 39 gra, tha Ministria e Shëndetësisë në Gaza.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat