Gjiganti amerikan i Fast Food largohet nga Rusia, dënon pushtimin e Ukrainës

Bota

Gjiganti amerikan i Fast Food largohet nga Rusia, dënon pushtimin e Ukrainës

Nga: Sadri Rexhepi Më: 12 qershor 2022 Në ora: 19:43
Foto ilustrim

Kompania e famshme amerikane e ushqimit të shpejtë Mc Donalds është larguar nga Rusia në shenjë proteste ndaj pushtimit të Ukrainës, dhe më shumë se 800 restorante të saj ja ka shitur biznesmenit rus Alexander Govor.

Të dielën, në Moskë ish restorantet e Mc Donald janë hapur me emrin e ri “Vkusno I Tochka”, që do të thotë “E Shijshme dhe Kaq”.

Simboli I mëparshëm I Mc Donalds me dy harqet e artë është zhdukur dhe është zevëndësuar nga shkronja M e stiluar ndryshe.

Pronarët e rinj shpresojnë që klientët të mos vërejnë shumë ndryshime. Ata mbajtën një konferencë shtypi në restorantin kryesor në Sheshin Pushkin, ku u hap McDonald’s i parë në Moskë, 32 vjet më parë.

“Qëllimi ynë është që mysafirët tanë të mos vërejnë dallime as në cilësi dhe as në ambient”, tha Oleg Paroyev, Drejtori I Përgjithshëm i Vkusno i Tochka.

Nga ana tjetër, nuk munguan protestues në lidhje me ngjarjen, të cilët ikjen e Mc Donalds nga Rusia dhe ndërrimin e simboleve e interpretuan si thellim të ndarjes së Rusisë nga perëndimi.

Në fakt, shumë marka të njohura dhe kompani shumëkombëshe I kanë shitur bizneset e tyre në Rusi duke u larguar plotësisht, në shenjë proteste ndaj ofensivës ruse në Ukrainë.

Alexander Govor, një manjat siberian i naftës, synon të rihapë rreth një të katërtën e 850 restoranteve të riemërtuar të McDonald’s deri në fund të muajit.

Muajin e kaluar McDonald’s njoftoi se do të largohej nga Rusia për shkak të “krizës humanitare” dhe “mjedisit të paparashikueshëm operativ” të shkaktuar nga lufta.

Rusia dhe Ukraina përbënin rreth 9% të shitjeve globale të McDonald’s vitin e kaluar.
Starbucks, Coca Cola, Levi’s dhe Apple janë ndër markat ndërkombëtare që janë larguar nga Rusia që nga pushtimi i Ukrainës më 24 shkurt.

Rusia aktualisht është nën sanksione të gjera ndërkombëtare, të cilat po ndërpresin zinxhirët e saj të furnizimit dhe po rrisin papunësinë në vend.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat