Bota nderon Mbretëreshën Elizabeth II

Bota

Bota nderon Mbretëreshën Elizabeth II

Më: 9 shtator 2022 Në ora: 08:31
Qyetarët duke vendosur kurora lulesh pranë Pallatit Bakingam. 9 shtator 2022.

Liderët botërorë dhe qytetarët në mbarë botën kanë nderuar Mbretëreshën Elizabeth II, e cila vdiq të enjten në moshën 96-vjeçare.

Mijëra njerëz u mblodhën të enjten mbrëma në Londër afër Pallatit Bakingam, duke vendosur kurora lulesh pranë dyerve të pallatit.

Skena të ngjashme u panë edhe pranë shtëpisë së Mbretëreshës në Kështjellën Uindsor dhe kështjellat gjetkë në Mbretërinë e Bashkuar, për të nderuar monarken që qëndroi në fron për 70 vjet.

Image
Dy gra duke nderuar Mbretëreshën Elizabeth II, teksa pranë Kështjellës Hisbrou në Irlandën, sikurse edhe pranë kështjellava të tjera në mbarë Mbretërinë e Bashkuar, u vendosën kurora lulesh.

Flamujt u ulën në gjysmë shtizë në mbarë botë, përfshirë në Uashington, Berlin, e Bruksel, ndërkaq në Paris Kulla Ajfell fiku drita në mesnatë në nderim të Mbretëreshës.

Liderët botërorë çmuan lartë kontributin e Mbretëreshës Elizabeth, qëndrueshmërinë dhe sensin e saj të humorit.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se ajo ishte “një mbretëreshë me zemër të mirë” dhe një “mike e Francës”.

Presidentët amerikanë kujtojnë Mbretëreshën

Presidenti amerikan, Joe Biden, - që për herë të parë takoi Mbretëreshën 40 vjet më parë – tha se ajo ishte “më shumë se një monarke – ajo definoi një epokë”.

Duke kujtuar vizitën e tij më 2021 në Mbretërinë e Bashkuar, Biden tha se ai “na magjepsi me zgjuarsinë e saj, na emocionoi me mirësinë dhe ndau me ne mençurinë e saj”.

Mbretëresha Elizabeth II gjatë mbretërimit të saj kishte takuar 13 presidentë të SHBA-së.

Image
Presidenti amerikan, Joe Biden, Zonja e Parë, Jill Biden, dhe Mbretëresha Elizabeth II.

Ish-presidenti amerikan, Barack Obama, tha se Mbretëresha “magjepsi botën” me “mbretërimin e saj me mirësi, elegancë dhe me një punë të palodhur etike”.

Edhe ish-lideri amerikan, Donald Trump, tha se “nuk do të harroj kurrë miqësinë e saj, mençurinë dhe sensin e mrekullueshëm të humorit”.

Çfarë zonje madhështore dhe e bukur ishte ajo – nuk kishte asnjë si ajo”, tha Trump në platformën e tij online, Truth Social.

Ish-udhëheqësi tjetër amerikan, George W Bush, reflektoi për takimin e tij me Mbretëreshën dhe qentë e saj korgi. Ai e përshkroi Mbretëreshën si njeri “me intelekt të mardh, hijeshi dhe zgjuarsi”.

Image
Ish-presidenti amerikan, George W Bush, dhe Mbretëresha Elizabeth II në Shtëpinë e Bardhë më 7 maj 2007.

Në Kanada – ku Mbretëresha Elizabeth ishte kryetare shteti – kryeministri kanadez, Justin Trudeau, tha se ajo kishte “një dashuri të madhe për kanadezët”.

Në një botë komplekse, vendosmëria dhe qëndrueshmëria e saj solli rehati për të gjithë ne”, tha ai, duke shtuar se do t’i mungojnë bisedat me të.

Ajo ishte një ndër njerëzit e mi më të preferuar në botë dhe do të më mungoj”, tha Trudeau teksa mbante lotët.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, tha se “përkushtimi i saj për pajtimin gjermano-britanik pas tmerreve të Luftës së Dytë Botërore do të mbetet i paharruar”.

Presidenti rus, Vladimir Putin, që ka takuar Mbretëreshën disa herë, i shprehu “ngushëllimet më të thella” Mbretit Charles III, trashëgimtarit të fronit britanik.

Ngjarjet më të rëndësishme në historinë e re të Mbretërisë së Bashkuar janë të lidhura me emrin e Mbretëreshës. Për shumë dekada, Mbretëresha gëzoi dashuri dhe respekt, por edhe autoritet në skenën botërore”, shkroi Putin.

Image
Mbretëresha Elizabeth II dhe Vladimir Putin, duke arrritur në Pallatin Bakingam më 2003.

Rusia është nën sanksione të shteteve perëndimore, përfshirë edhe Brtianinë, për shkak të luftës në Ukrainë.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, po ashtu ka reaguar pas lajmit për vdekjen e monarkes britanike. Ai tha se është “pikëlluar thellë” kur ka marr lajmin për vdekjen e Mbretëreshës britanike.

Presidentja e Komisionet Evropian, Ursula von der Leyen tha se “empatia dhe aftësia e Mbretëreshës për t’u lidhur me çdo gjeneratë që kalonte, përderisa qëndronte e vendosur në traditë, ishte një shembull i udhëheqjes së vërtetë”.

Në Kosovë, presidentja Vjosa Osmani tha se “ajo ishte një udhëheqëse e vërtetë dhe një grua e jashtëzakonshme”.

Përkushtimi, puna dhe përulësia e saj janë një frymëzim për të gjithë ne, veçanërisht në këto kohë të vështira”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Familjet mbretërore shprehin ngushëllime

Mbreti Willem-Alexander i Holandës – që është kushëriri i pestë i Mbretëreshës – tha se ai dhe Mbretëresha Maxina e kujtojnë Mbretëreshën britanike si person “të palëkundur dhe të mençur”.

Mbreti i Suedisë, Carl XVI Gustaf – po ashtu një kushëri i largët i Mbretëreshës Elizabeth – tha se ajo ishte “gjithmonë një mike e dashur e familjes dhe një lidhje e çmueshme me historinë që ndajnë familjet tona”.

Ndërkaq, në Belgjikë, Mbreti Philippe dhe Mbretëresha Mathilde, thanë se ajo ishte “një personalitet i jashtëzakonshëm, e cila gjatë mbretërimit të saj tregoi dinjitet, kurajë dhe devocion”.

Në Arabinë Saudite, Mbreti Salman dhe Princi i Kurorës bin Salamn, kanë dërguar telegrame ngushëlluese, duke e cilësuar Mbretëreshën britanike si model për udhëheqje.

Mbetëresha Elizabeth II ishte monarkja më jetëgjatë në Mbretërinë e Bashkuar.

Ajo mori fronin në vitit 1952. Trashëgimtar i fronit është djali i saj i madh, Charles, ish-Princ i Uellsit, i cili do të njihet me emrin Mbreti Charles III./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat