LIVE: A do ta sulmojë edhe Bjellorusia Ukrainën? Irani del me thirrjen urgjente për shtetasit e tij

Bota

LIVE: A do ta sulmojë edhe Bjellorusia Ukrainën? Irani del me thirrjen urgjente për shtetasit e tij

Më: 21 tetor 2022 Në ora: 06:30 Përditësuar në ora: 13:42 më 21.10.2022
Pamje nga lufta në Ukrainë

Studiuesit nxjerrin të dhënat shokuese mbi luftën bërthamore: Mbi 34 milionë njerëz do zhdukeshin

Që prej nisjes së luftës në Ukrainë, frika për një sulm të mundshëm bërthamor ka mbërthyer globin, duke bërë që të nisë llogaritja e dëmeve të mundshme.

Në një simulim të një ngjarjeje të tillë, rezulton se mbi 34 milionë njerëz do të zhdukeshin. Nëse presidenti rus Vladimir Putin, vendos të nisë një prej raketave të tij bërthamore, atëherë sipas "Planit A", një simulim që ka treguar shkatërrimin, parashikon miliona vdekje dhe pasoja "potencialisht katastrofike" për Rusinë dhe NATO-n.

Studiuesit e Universitetit të Princeton nën Programin për Shkencën dhe Sigurinë Globale (SGS) fillimisht publikuan simulimin në vitin 2017, ndërsa tashmë e kanë ripërsëritur.

Dr Alex Glaser, duke folur për Newsweek, tha: "Kjo është kriza më serioze me një dimension potencial bërthamor që përfshin Rusinë dhe Shtetet e Bashkuara/NATO që nga fundi i Luftës së Ftohtë, edhe nëse rreziku i një lufte bërthamore konsiderohet ende i vogël , siç do të argumentonin shumë analistë”.

Modeli përdor të dhëna realiste mbi forcën bërthamore, ndërsa ka parashikuar se 34.1 milionë njerëz do të vdisnin brenda disa orësh.

A do ta sulmojë edhe Bjellorusia Ukrainën?

Bjellorusia, deri më tash, nuk është përfshirë drejtpërdrejt në luftën në Ukrainë, por ka shërbyer si trampolinë për Rusinë që të pushtojë fqinjin e saj.

Udhëheqësi diktatorial bjellorus, Aleksandr Lukashenka, tani dërgon sinjale se ushtria e tij mund t’u bashkohet forcave ruse edhe në fushëbetejë.

Irani paralajmëron shtetasit e tij që të largohen nga Ukraina

Ministria e Jashtme e Iranit ka këshilluar qytetarët e saj që të përmbahen nga udhëtimet në Ukrainë “për shkak të përshkallëzimit të konfliktit ushtarak dhe rritjes së pasigurisë në Ukrainë”.

Ministria ka thënë përmes një deklarate më 21 tetor se iranianët në Ukrainë këshillohen të largohen nga ky shtet “për sigurinë e jetës së tyre”.

Prej nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, në fund të muajit shkurt, të dyja palët kanë luftuar në disa rajone të shtetit, sidomos në lindje dhe jug.

Në javët e fundit, Rusia ka nisur një mori sulmesh me raketa dhe dronë kamikazë në qytete të ndryshme të Ukrainës, përfshirë kryeqytetin, Kievin.

Shtetet e Bashkuara kanë thënë më 20 tetor se Irani i ka ndihmuar Rusisë rreth operimit me dronë.

Shtëpia e Bardhë ka thënë se iranianët janë në Krime, duke iu ndihmuar rusëve që të shënjestrojnë Ukrainën me dronët iranianë.

Në deklaratën e ministrisë iraniane nuk është përmendur kjo çështje.

Megjithatë, në një tjetër deklaratë të 21 tetorit, pas bisedës telefonike mes ministrit të Jashtëm iranian, Hossein Amir-Abdollahian me kryediplomatin e Bashkimit Evropian, Josep Borrell, Teherani ka ripërsëritur se “hedh poshtë pretendimet që i ka dhënë Rusisë dronë për luftën në Ukrainë”.

Rusia e ka aneksuar Gadishullin ukrainas të Krimesë më 2014.

Një sondazh i Gallupit, i kryer në fillim të muajit shtator, dhe i publikuar më 18 tetor, ka treguar se 70 për qind e ukrainasve dëshirojnë luftë deri në fitore, derisa 91 për qind e konsiderojnë fitore në luftë edhe rikthimin e gjithë territorit të pushtuar nga Rusisë, përfshirë Krimenë.

Vetëm 26 për qind e respodentëve kanë thënë se Ukraina duhet të negociojë fundin e luftës sa më shpejt që është e mundur.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e konsideron luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Rusia dërgon 2 mijë rekrutë të rinj në Kherson

Sipas Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë së Ukrainës, Rusia ka dërguar deri në 2000 rekrutë të rinj në rajonin Kherson për të zëvendësuar viktimat dhe për të forcuar njësitë në vijën e frontit jugor.

Ndërkohe gjatë orëve të fundit janë raportuar disa shpërthime që kanë tronditur qytetin e Kharkiv, në Ukrainën lindore.

Mirëpo nga ana tjetër forcat pro-ruse thonë se ushtria e Ukrainës ka bombarduar qytetin Kherson  në kohën kur po kryheshin evakuimet e civilëve.

Sipas tyre forcat ukrainase bombarduan urën Antonivskiy mbi lumin Dnipro, e përdorur nga civilët për t’u larguar nga qyteti, duke vrarë katër persona.

“Do të ishte katastrofë e madhe”, Zelensky: Rusia po përgatitet të shkatërrojë digën në Kherson

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka akuzuar Rusinë se planifikon të shkatërrojë një digë hidroelektrike në rajonin lindor të Khersonit, ku ushtarët ukrainas kanë avancuar vazhdimisht dhe autoritetet e instaluara nga Moska kanë filluar atë që ata e quajnë evakuime të civilëve.

Zelensky akuzoi Moskën për vendosjen e minave në një digë në rajonin e pushtuar nga Rusia, duke paraqitur një kërcënim për një rrjet kanalesh të gjatë 400 km të ndërtuar nga sovjetikët.

Rusia po përgatitet për të sulmuar në hidrocentralin Kakhovka. Sipas informacioneve tona, agregatet dhe diga e HEC-it të Kakhovkës janë minuar nga terroristët rusë”, tha ai.

“Nëse diga shkatërrohet … kanali i Krimesë së Veriut thjesht do të zhduket dhe kjo do të ishte një katastrofë në një shkallë të madhe. Me këtë sulm terrorist, ata mund të shkatërrojnë, ndër të tjera, edhe mundësinë e furnizimit me ujë nga lumi Dnipro në Krime. Një sulm i tillë në HEC-in Kakhovka do të thotë saktësisht njësoj si përdorimi i armëve të shkatërrimit në masë”, shtoi Zelenskiy.

Forcat ruse godasin me raketa Zaporizhzhia

Një sërë shpërthimesh janë raportuar në qytetin juglindor të Ukrainës, Zaporizhzhia, sipas The Guardian.

Oleksandr Starukh, kreu i administratës shtetërore rajonale të Zaporizhzhia, tha në një postim në telegram se Rusia po sulmonte qendrën rajonale me raketa në orët e para të mëngjesit.

Ai u kërkoi banorëve të strehoheshin dhe të mos dilnin nga strehimoret deri në një njoftim të dytë.

6 të vrarë dhe 10 të plagosur nga sulmet në Luhansk

Të paktën gjashtë persona janë vrarë dhe 10 të tjerë janë plagosur në 24 orët e fundit nga sulmet me raketa të Ukrainës në rajonin lindor të Luhanskut, sipas zyrtarëve pro-rusë në territorin e pushtuar, sipas CNN.

Qendra e Përbashkët për Kontrollin dhe Koordinimin e Republikës Popullore të Luhanskut (JCCC) e mbështetur nga Moska pretendoi se sulmet u kryen nga forcat ukrainase duke përdorur sistemet raketore HIMARS.

Vendbanimet Lysychansk, Brianka, Troitske, Rubizhne, Chervony Prapor dhe Brianka u goditën të enjten dhe të premten.

Pesë nga të vrarët ishin punonjës të Ministrisë së Situatës të Emergjencave në Chervony Prapor. Luhansk është ndër katër rajonet e Ukrainës që Rusia po përpiqet t’i aneksojë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, edhe pse forcat ukrainase po përparojnë në jug dhe lindje të vendit.

Të mërkurën, presidenti rus Vladimir Putin njoftoi se kishte nënshkruar një ligj që vendos ligjin ushtarak në të katër rajonet e aneksuara.

Varret masive në Liman, gjenden trupat e 111 civilëve dhe 35 ushtarëve ukrainas

Ukraina ka përfunduar zhvarrosjen e trupave në varrin më të madh masiv të zbuluar pas tërheqjes së trupave ruse nga qyteti lindor Liman, tha policia ukrainase të enjten, sipas CNN.

Gjithsej  janë zbuluar 111 trupa të civilëve dhe 35 të ushtrisë ukrainase.

Policia ka përfunduar hetimet në një varrezë në Liman, ku u zbuluan dy varreza masive pas çlirimit të qytetit nga agresori rus. Civilët u varrosën në një vend, dhe mbrojtësit ukrainas – në tjetrin.

Të vrarët u varrosën në llogore. Disa varre janë pa emër. Si rezultat i hetimeve, të cilat kishin zgjatur për më shumë se dy javë, hetuesit gjetën 146 trupa”, thuhet në raport.

Sipas policisë, 25 varreza u zbuluan në Lyman. Në përgjithësi, në të gjithë zonat e çliruara të rajonit të Donetskut, ka 58 varre.

Në përgjithësi, gjithsej 166 trupa janë zhvarrosur në veri të rajonit të Donetskut deri më tani. Në mesin e viktimave civile, kishte 85 burra, 66 gra, pesë fëmijë dhe 10 prej tyre gjinia e të cilëve nuk ishte identifikuar ende.

Sipas të dhënave paraprake, shumica e viktimave kanë vdekur nga plagët e predhave dhe shkaqe natyrore.

Disa trupa mbanin shenja dhune. Numri i atyre që u ekzekutuan nga ushtarët rusë do të raportohet sapo të kryhen të gjitha ekspertizat.

Irani: Respektojmë “integritetin territorial” të Ukrainës

Pavarësisht bashkëpunimit me Rusinë, Irani respekton “integritetin territorial” të Ukrainës, tha ministri i jashtëm iranian të premten në një bisedë telefonike me kryediplomatin e Bashkimit Europian, sipas CNN.

“Politika e Teheranit në lidhje me luftën në Ukrainë është të respektojë integritetin territorial të vendit,” i tha Hossein Amirabdollahian Josep Borrell, përfaqësuesit të lartë të BE-së për çështjet e jashtme dhe politikën e sigurisë, sipas një postimi në Twitter nga Ministria e Jashtme iraniane.

“Irani nuk u dërgon armë palëve ndërluftuese në Ukrainë dhe dëshiron t’i japë fund luftës dhe largimit të njerëzve,” tha Amirabdollahian.

Ministri i Jashtëm iranian tha se Republika Islamike po bën përpjekje për të ndaluar armiqësitë në Ukrainë përmes diplomacisë”.

Irani ka mohuar në mënyrë të përsëritur furnizimin me dron “kamikaze” në Rusi, përballë provave në rritje për të kundërtën. Të enjten, Shtëpia e Bardhë tha se personeli ushtarak iranian ka vizituar Krimenë për të ndihmuar në operacionet ruse që synojnë infrastrukturën civile në Ukrainë duke përdorur dronë.

John Kirby, koordinatori i komunikimit në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, tha se prania e personelit iranian ishte dëshmi e angazhimit të drejtpërdrejtë të Teheranit në konflikt.

Ata mund ta gënjejnë botën, por sigurisht që nuk mund t’i fshehin faktet,” tha ai.

Zelensky: Sulmet në objektet e energjisë synojnë të rrisin migrimin

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u ka thënë liderëve të Bashkimit Evropian se sulmet ruse, që kanë shkatërruar një pjesë të madhe të infrastrukturës së energjisë, kanë qëllim nxitjen e një vale të re të migrantëve ukrainas drejt vendeve të bllokut evropian.

“Terrori rus kundër objekteve të energjisë ka qëllim krijimin e sa më shumë problemeve me rrymë dhe nxehtësi në Ukrainë këtë vjeshtë dhe dimër, ashtu që sa më shumë ukrainas të nisen drejt vendeve tuaja”, ka thënë Zelensky përmes video-lidhjes.

Sipas tij, këto veprime duhet të kenë “përgjigje të menjëhershme”, fillimisht përmes sistemeve të shumta për mbrojtje ajrore.

“Ne duhet të bëjmë gjithçka që është e mundshme që t’ia pamundësojmë Rusisë shkatërrimin e sistemit tonë energjetik me raketa dhe dronë”.

Rusia ka shtuar numrin e sulmeve në objekte banesore dhe infrastrukturë prej 10 tetorit, duke përdorur kryesisht dronë kamikazë.

Ukraina dhe Perëndimi besojnë se ky lloj i dronit është prodhuar nga Irani.

Moska dhe Teherani kanë hedhur poshtë akuzat.

Zelensky po ashtu ka paralajmëruar se Ukraina dyshon që Rusia ka hedhur mina në digën e hidrocentralit që gjendet në Nova Kahhovka.

Nëse minat shpërthejnë, ai ka thënë që më shumë se 80 vendbanime, përfshirë Hersonin, do të jenë në rrezik të vërshimeve.

Zelensky ka thënë se punëtorët ukrainas janë dëbuar nga hidrocentrali, duke e lënë atë në duart e rusëve.

Sipas tij, Rusia “ka përgatitur gjithçka për të kryer këtë sulm terrorist”.

Ai ka bërë thirrje për mision vëzhgues ndërkombëtar, kthim të punëtorëve dhe heqje të minave nga diga.

Komentet e Zelenskyt kanë ardhur dy ditë pasi Vladimir Saldo, zyrtari i emëruar nga Rusia në rajonin ukrainas të Hersonit, ka bërë të ditur një “zhvendosje të organizuar” të civilëve nga katër qyteza afër Lumit Dnjepër.

Saldo ka akuzuar forcat ukrainase se planifikojnë të shkatërrojnë digën.

Autoritetet e instaluara nga Moska në Herson, kanë thënë më 20 tetor se rreth 15.000 njerëz janë larguar nga rajoni.

Kievi e ka konsideruar këtë hap të Moskës si “dëbim” të civilëve ukrainas.

Mirëpo Stremousov ka thënë se njerëzit duhet të ndjekin udhëzimet dhe të largohen nga Hersoni, një prej katër rajoneve që janë aneksuar në mënyrë ilegale nga Rusia.

“Duhet t’i jepni ushtrisë një mundësi të bëjë atë që do të bëjë”, ka thënë ai, duke pretenduar se ushtria ruse nuk do të heqë dorë nga Hersoni.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e konsideron luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat