Lideri i Kamboxhias jep dorëheqje pas katër dekadave, ia kalon postin djalit të tij

Bota

Lideri i Kamboxhias jep dorëheqje pas katër dekadave, ia kalon postin djalit të tij

Më: 26 korrik 2023 Në ora: 13:02
Kryeministri i Kamboxhias, Hun Sen.

Kryeministri i Kamboxhias, Hun Sen – një nga udhëheqësit më jetëgjatë në botë – ka njoftuar se do të japë dorëheqje nga posti i tij dhe do t'ia dorëzojë këtë pozitë djalit të tij gjatë javëve të ardhshme.

Njoftimi të cilin transmetuesi publik britanik BBC e cilëson si “të parashikuar”erdhi tre ditë pasi partia e tij i fitoi sërish zgjedhjet.

Hun Sen, 70 vjeç, është bërë gjithnjë e më autoritar pas gati katër dekadash sundimi, thonë analistët.

Ai kishte njoftuar se do të niste një tranzicion në vitin 2021, por deri të mërkurën, askush nuk e dinte se kur do të ndodhte një gjë e tillë.

Djali i tij i madh, Hun Manet, ka qenë prej kohësh duke u përgatitur për këtë rol dhe deri vonë ishte komandant i Ushtrisë Mbretërore Kamboxhiane.

Të mërkurën, Hun Sen tha se djali i tij do të emërohet kryeministër i vendit më 10 gusht.

“Dëshiroj të kërkoj mirëkuptim nga populli pasi nuk do të vazhdoj si kryeministër”, tha ai në një transmetim të vecantë në televizionin shtetëror.

Ai tha se do të tërhiqej pasi qëndrimi i tij në detyrë mund të shkaktojë destabilitet. Megjithatë, ai do ta mbajë udhëheqjen e Partisë Popullore Kamboxhiane në pushtet. Analistët politikë thonë se përmes kësaj pozitë, ai do të vazhdojë ta mbajë kontrollin përfundimtar.

Më herët të mërkurën, Hun Sen u pa në një vizitë në pallatin e monarkut kamboxhian për ta njoftuar për vendimin e tij. Media shtetërore kamboxhiane transmetoi pamjet e takimit.

Hun Manet, 45 vjeç, mori një rol udhëheqës në fushatën për zgjedhjet e 23 korrikut të këtij viti dhe shpesh u pa në tubime të rëndësishme pranë babait të tij, i cili ka drejtuar vendin e Azisë juglindore prej 16 milionë banorësh që nga viti 1985.

Zgjedhjet e së dielës u panë gjerësisht si jokonkurruese sepse e vetmja parti e besueshme opozitare u diskualifikua nga votimi.

Në fletëvotim kishte edhe 17 parti të tjera, por ato ishin të gjitha shumë të vogla, të reja ose të lidhura me partinë në pushtet, kështu që nuk konsideroheshin si një alternativë reale për votuesit./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat