Presidenti Biden falenderon kryeministren italiane për mbështetjen ndaj Ukrainës

Bota

Presidenti Biden falenderon kryeministren italiane për mbështetjen ndaj Ukrainës

Më: 28 korrik 2023 Në ora: 15:02
Presidenti amerikan Joe Biden u takua me kryeministren e ekstremit të djathtë të Italisë, Giorgia Meloni

Presidenti amerikan Joe Biden u takua me kryeministren e ekstremit të djathtë të Italisë, Giorgia Meloni, të enjten në Shtëpinë e Bardhë, ku të dy ripohuan mbështetjen e tyre për Ukrainën dhe folën për kundërshtimin e ambicieve në rritje të Pekinit.

Udhëheqësja italiane e ekstremit të djathtë po përballet me presion në rritje nga Pekini ndërsa Roma po shqyrton mundësinë të largohet nga Nisma Një Brez, Një Rrugë, marrëveshje e cila duhet të rinovohet në fillim të vitit 2024.

Presidenti Biden sugjeroi se Shtetet e Bashkuara mund të mbushin boshllëkun.

"Ne do të flasim për thellimin e lidhjeve tona ekonomike, që kanë rezultuar në më shumë se 100 miliardë dollarë shkëmbime tregëtare vitin e kaluar. Për mendimin tim, nuk ka asnjë arsye pse kjo të mos çohet më tej".

Shqetësimet e administratës Biden në lidhje me ideologjinë e kryeministres Meloni janë lehtësuar nga mbështetja e saj për Ukrainën dhe gatishmëria në dukje për t'u tërhequr nga Nisma Një Brez, Një Rrugë.

"Si aleatë të NATO-s, partneriteti transatlantik është gurthemeli i sigurisë sonë të përbashkët. Trupat italiane po luajnë një rol kritik në Evropë, në Mesdhe dhe më gjerë. Italia dhe Shtetet e Bashkuara qëndrojnë gjithashtu fuqishëm përkrah Ukrainës. Ju përgëzoj për mbështetjen tuaj shumë të fortë për t'u mbrojtur kundër mizorive ruse, Nuk është thjesht një luftë. Rusia po kryen mizori”, tha presidenti Biden.

Kryeministrja Meloni tha se Italia e di kush janë miqtë e saj. Ajo tha gjithashtu se beson se vendet perëndimore kanë treguar se mund të mbështeten tek njëri-tjetri shumë më tepër se sa kanë besuar disa.

"Pas agresionit rus kundër Ukrainës, të gjithë së bashku ne vendosëm të mbrojmë ligjin ndërkombëtar. Jam krenare që Italia që në fillim luajti rolin e saj. Ne e bëmë atë thjesht sepse të mbështesësh Ukrainën do të thotë të mbrosh bashkëjetesën paqësore të njerëzve kudo në botë.”

Pas takimit, të dy udhëheqësit lëshuan një deklaratë të gjatë të përbashkët duke pohuar "aleancën e tyre të palëkundur, partneritetin strategjik dhe miqësinë e thellë"./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat