Analistët: Mungesa e Presidentit Xi në takimin e G20-ës, një mundësi e humbur

Bota

Analistët: Mungesa e Presidentit Xi në takimin e G20-ës, një mundësi e humbur

Më: 7 shtator 2023 Në ora: 21:51
Xi Jingping

Analistët thonë se mungesa e Presidentit të Kinës Xi Jingping në takimin e G20-ës në Nju Deli, që fillon të shtunën, ka të ngjarë të lërë në hije përpjekjet për të trajtuar çështjet urgjente globale si ndryshimi i klimës dhe lufta e Rusisë në Ukrainë.

Pekini nuk ka dhënë shumë hollësi mbi arsyet e mungesës së zotit Xi në takimin e 20 ekonomive më të mëdha të botës. Në një njoftim me një fjali në faqen e saj të internetit të hënën, Ministria e Jashtme e Kinës njoftoi se në vend të zotit Xi, në takim do të merrte pjesë kryeministri Li Qiang. Në një konferencë shtypi më vonë atë ditë, zëdhënësja e ministrisë së jashtme të Kinës, Mao Ning nuk dha hollësi të tjera, duke thënë thjesht se "Kina gjatë gjithë kohës i ka kushtuar rëndësi të madhe dhe në mënyrë aktive ka marrë pjesë në ngjarjet e G20-ës".

Analistët thonë se vendimi i zotit Xi për të anashkaluar takimin ngre pikëpyetje dhe nxjerr në pah një ndryshim të përparësive në axhendën e politikës së jashtme të Pekinit. Ata thonë se mospjesëmarrja në takim është një mundësi e humbur për angazhim me udhëheqës të tjerë botërorë në nivelin më të lartë dhe për të përmirësuar marrëdhëniet me vendet e tjera.

“Kina dëshiron të jetë një udhëheqëse në diplomacinë globale, por mungesa e zotit Xi në takim bie ndesh me këtë synim”, i tha Zërit të Amerikës në një intervistë telefonike Moritz Rudolf, studiues në qendrën kineze Paul Tsai në fakultetin juridik të Universitetit Yale.

Zoti Rudolf tha se vendimi pasqyron gjithashtu një ndryshim të përparësive në axhendën e politikës së jashtme të Kinës, e cila i jep përparësi angazhimit me vendet në zhvillim.

"Nga takimi i grupit BRICS (i përbërë nga Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut) dhe ngjarje të tjera diplomatike, përfshirë takimin Kinë-Azi Qendrore në maj dhe udhëtimin e Presidentit Xi në Lindjen e Mesme, ne mund të nxjerrim një përfundim mbi përparësitë e politikës së jashtme të Kinës", tha studiuesi Rudolf, duke shtuar se Pekini është i përqendruar në Jugun Global.

“Përparësi e politikës së jashtme të Kinës nuk është takimi i G20-ës pasi ai nuk është një forum, ku Kina mund të përfitojë kaq shumë. Është më e lehtë për zyrtarët e Pekinit që t'i japin përparësi Forumit të ardhshëm Një Brez Një Rrugë, ku do të shënohet 10 vjetori i themelimit të tij”, shtoi ai.

Kina do të organizojë një takim për nder të 10 vjetorit të nismës së tyre në Pekin muajin e ardhshëm.

Përparësi ndaj aleatëve më të afërt

Që nga ardhja në pushtet më shumë se një dekadë më parë, Presidenti Xi nuk ka munguar në asnjë takim të G20-ës. Këtë vit, megjithë heqjen e kufizimeve të ashpra të COVID-19 nga Kina dhe fillimin e mandatit të tij të tretë në detyrë, që thyen normat, udhëtimet e tij jashtë vendit janë reduktuar ndjeshëm.

Pas pandemisë së koronavirusit, ai ka udhëtuar jashtë Kinës vetëm dy herë, një vizitë në Moskë për t'u takuar me presidentin rus Vladimir Putin në mars dhe së fundmi një vizitë tjetër në Afrikën e Jugut për të marrë pjesë në takimin e grupit e BRICS. Të dyja shihen si vende miqësore ndaj Kinës.

"Presidenti Xi e viziton një vend, madje edhe thjesht për të marrë pjesë në një forum shumëpalësh, nëse Kina ka një marrëdhënie dypalëshe relativisht pozitive me atë vend", tha Yun Sun, drejtore e programit të Kinës në Qendrën Stimson, me bazë në Uashington, për Zërin e Amerikës në një intervistë telefonike.

Disa shembuj që pasqyrojnë këtë traditë përfshijnë pjesëmarrjen e Presidenti Xi në takimin e nivelit të lartë të G20-ës në Indonezi dhe pjesëmarrjen e tij në takimin e APEC-ut në Tajlandë në 2022.

“Këto janë vende me të cilat Kina ka marrëdhënie relativisht të mira, kështu që nuk jam i befasuar që Presidenti Xi po shmang takimin e G20-ës në Indi”, shtoi ajo.

Zonja Sun dhe analistë të tjerë thonë se ata mendojnë se tensionet e pazgjidhura midis Kinës dhe Indisë kontribuan në vendimin e Presidentit Xi për të mos marrë pjesë në takimin e G20-ës këtë vit.

"Në këndvështrimin kinez, India nuk po punon me Kinën", thotë analistja Sun. “Kina është ankuar se India po përdor G20-ën dhe takimet e lidhura me të për të rikonfirmuar pretendimet e saj mbi territorin e debatueshëm (në kufirin mes dy vendeve).”

Ndërsa Kina dhe India kanë zhvilluar një sërë takimesh që synojnë zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të gjata kufitare, një hartë e re e publikuar nga Pekini javën e kaluar që pasqyronte pretendimet e Kinës ndaj territoreve të debatueshme, e nxiti Nju Delin të bënte një protestë diplomatike.

Përveç tensioneve të vazhdueshme me Indinë, analistë të tjerë mendojnë se përpjekjet e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara kundër veprimeve të fundit ushtarake të Kinës rreth ishullit të Tajvanit mund të kenë kontribuar gjithashtu në vendimin e Presidentit Xi për të mos marrë pjesë në takimin e G20-ës.

"Vizita e Presidentit Biden në Indi dhe Vietnam shihet në Pekin si një përpjekje për të rrethuar Kinën dhe Pekini është i alarmuar nga ndihma ushtarake në rritje e Uashingtonit për Tajvanin", i tha Zërit të Amerikës Zhiqun Zhu, një ekspert i politikës së jashtme kineze në Universitetin Bucknell.

A do të ndodhë e njëjta gjë edhe me takimin e APEC-ut?

Reagimet ndaj vendimit të Presidentit Xi për të mos marrë pjesë në takimin e G20-ës nga udhëheqësit botërorë kanë qenë të ndryshme. Presidenti amerikan Joe Biden shprehu zhgënjimin e tij për këtë veprim të udhëheqësit kinez, ndërsa ministri i Jashtëm indian Subrahmanyam Jaishankar theksoi se mungesa e Presidentit Xi nuk do të ndikonte në përpjekjet e udhëheqësve të vendeve të G20-ës për të lëshuar një komunikatë të përbashkët.

Ndonëse disa analistë thonë se mungesa në takim do të jetë një mundësi e humbur, të tjerë mendojnë se vendimi i Kinës për të mos u angazhuar me disa vende është pjesë e një përpjekjeje për t'i bërë ato të ndryshojnë sjelljet e tyre.

"Për shembull, nëse qëllimi është ndryshimi i sjelljes së Shteteve të Bashkuara, disa do të thoshin se fakti që Uashingtoni ka dërguar katër anëtarë të kabinetit në Pekin që nga qershori është një shenjë e mirë se strategjia kineze po funksionon", thotë ekspertja Sun nga Qendra Stimson.

Mbetet të shihet nëse kjo qasje do të zbatohet edhe për takimin e udhëheqësve të APEC-ut në San Francisko.

Diskutimet për një takim të mundshëm në kuadrin e takimit në nëntor janë ende duke vazhduar. Analistja Sun thotë se pjesëmarrja e Presidentit Xi mund të ndikohet nga vendimi që Uashingtoni mund të marrë lidhur me pjesëmarrjen ose jo në takimin e APEC-ut në San Francisko të Shefit Ekzekutiv të Hong Kongut, John Lee.

Gazeta Washington Post raportoi në korrik se Shtëpia e Bardhë kishte vendosur të mos lejonte pjesëmarrjen e zotit Lee në takim. “Nëse zotit Lee i refuzohet viza, kinezët do ta shohin këtë si një humbje të madhe për imazhin e tyre”, thotë zonja Sun.

Duke marrë parasysh që kanë mbetur rreth dy muaj deri në fillimin e takimit të APEC-ut, analistja Sun thotë se një tregues i rëndësishëm i pjesëmarrjes apo jo të Presidentit Xi në takim do ishte një vizitë e ministrit të Jashtëm kinez Wang Yi në Uashington për t'i hapur rrugën këtij kësaj mundësie.

"Nëse zoti Wang shkon në Uashington, ky është një sinjal i fortë se Presidenti Xi do të marrë pjesë në takimin e APEC-ut", tha ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat