SHBA-ja paralajmëron Korenë e V. që të mos e furnizojë me armë Rusinë

Bota

SHBA-ja paralajmëron Korenë e V. që të mos e furnizojë me armë Rusinë

Më: 11 shtator 2023 Në ora: 22:59
Në takimin mes liderit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un, dhe atij rus, Vladimir Putin, pritet të bisedohet për bashkëpunimin ushtarak mes dy shteteve.

Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar Korenë e Veriut kundër çdo lëvizjeje drejt furnizimit të Rusisë me armët dhe kanë kërcënuar se do të vendosin sanksione të reja ndaj Phenianit.

Ky reagim i Uashingtonit më 11 shtator erdhi pasi Kremlini konfirmoi se lideri verikorean, Kim Jong Un, do të vizitojë Rusinë “në ditët në vijim”. Kjo vizitë u tha se do të realizohet me ftesë të presidentit rus, Vladimir Putin.

Kremlini njoftoi për vizitën e Kimit pas raportimeve të mediave se lideri verikorean është nisur në një udhëtim të posaçëm me tren për në Rusi dhe do të takohet me Putinin. Ky takim është sinjal i thellimit të bashkëpunimit mes dy shteteve dhe liderëve, që janë të izoluar botërisht.

Koreja e Veriut është një prej shteteve të pakta që haptazi ka mbështetur Rusinë që kur ajo nisi pushtimin e plotë të Ukrainës vitin e kaluar dhe Putin javën e kaluar u zotua se do të zgjerojë raportet dypalëshe.

Takimi mes Kimit dhe Putinit ka të ngjarë që të përqendrohet në bashkëpunimin ushtarak dhe në një marrëveshje potenciale për furnizim me armë, kanë thënë për Reuters zyrtarë dhe analistë nga SHBA-ja dhe Koreja e Jugut.

Pavarësisht se është mohuar nga Pheniani dhe Moska, SHBA-ja tha se bisedimet “kanë përparuar në mënyrë aktive” lidhur me furnizimin me armë të Rusisë nga Koreja e Veriut. Moska ka shpenzuar shumë nga armët e saj që ka pasur në stoqe në luftën 18-mujore në Ukrainë.

SHBA-ja ka thënë se do të ishte “një gabim i madh” për Korenë e Veriut nëse e furnizon Rusinë me armë, të cilat më pas Moska do t’i përdorte në Ukrainë, duke e paralajmëruar Phenianin se do të paguante “çmim”.

Departamenti amerikan i Shtetit tha se dërgesa të tilla armësh do të përbënin shkelje të disa rezolutave të miratuara nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara.

“Ne sigurisht zbatojmë në mënyrë agresive sanksionet tona ndaj entiteteve që financojnë përpjekjet e luftës së Rusisë dhe do të vazhdojmë të zbatojmë sanksione të tilla, por edhe nuk hezitojmë që të vendosim sanksione të reja”, tha zëdhënësi i DASH-it, Matthew Miller.

Pas dekadash të raporteve të ndërlikuara, Rusia dhe Koreja e Veriut kanë krijuar raporte më të ngushta që nga nisja e pushtimit të Ukrainës.

Koreja e Veriut vazhdimisht ka fajësuar SHBA-në për luftën në Ukrainë, duke pretenduar se “politika hegjemoniste” e Perëndimit justifikon ofensivën ruse në Ukrainë.

Që nga viti i kaluar, SHBA-ja ka akuzuar Korenë e Veriut se i ofron Rusisë armë, përfshirë edhe municione për artileri që ka thënë se ia ka shitur grupit mercenar rus, Wagner. Si Koreja e Veriut, ashtu edhe Rusia kanë mohuar këto pretendime.

Ndryshe, vizita e fundit jashtë vendit e Kimit ishte më 2019. Atëbotë ai vizitoi qytetin lindor rus të Vlladivostokut ku u takua për herë të parë me Putinin, pasi bisedimet me SHBA-në për çarmatosjen e Veriut dështuan.

Më 9 shtator, Kremlini tha se Putin do të udhëtojë për në Vlladivostok këtë javë, për të marrë pjesë në Forumin Lindor Ekonomik.

Vlladivostoku gjendet 130 kilometra nga kufiri mes Rusisë dhe Koresë së Veriut./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat