Vrasja e presidentit të Ruandës, gjykata franceze rrëzon akuzat ndaj disa zyrtarëve

Evropë

Vrasja e presidentit të Ruandës, gjykata franceze rrëzon akuzat ndaj disa zyrtarëve

Më: 27 dhjetor 2018 Në ora: 05:57
Foto

Gjyqtarët në Francë kanë hedhur poshtë akuzat kundër nëntë zyrtarëve të Ruandës, të hetuar për vdekjen e presidentit të vendit në vitin 1994, një ngjarje që shkaktoi një gjenocid që vrau më shumë se 800,000 njerëz në vend, tha një burim gjyqësor.

Franca filloi hetimin, ku ishte i akuzuar edhe ish-ministri i mbrojtjes të Ruandës, James Kabarebe, në vitin 1998, pas kërkesave të të afërmve të ekuipazhit francez që vdiqën kur aeroplani i Juvenal Habyarimana u rrëzua pranë aeroportit të Kigalit, pasi u godit nga raketa. Presidenti i Burundit në atë kohë, Cyprien Ntaryamira, gjithashtu vdiq në rrëzimin e avionit.

Hapja e procesit gjyqësor kundër zyrtarëve të qeverisë së Ruandës dhe akuzat e administratës së Ruandës se Franca ishte pjesëmarrëse në gjenocidin e vitit 1994, dëmtoi marrëdhëniet mes dy vendeve për disa vite.

Hetuesit në Ruandë dhe vende të tjera nuk kanë qenë në gjendje të përcaktojnë nëse raketat që rrëzuan aeroplanin e presidentit u qëlluan nga njerëz të afërt me regjimin e Ruandës në atë kohë, apo nga ana e opozitës “Fronti Patriotik i Ruandës”, që i dha fund gjenocidit dhe mori pushtetin.

Philippe Meilhac, avokati që përfaqëson vejushën e Habyarimanës dhe të afërmit e tjerë të viktimave, tha se kishte apeluar vendimin për të hedhur poshtë hetimin. Burimi gjyqësor tha të mërkurën se akuzat u hodhën poshtë më 21 dhjetor. Një prokuror francez kishte rekomanduar në tetor që akuzat të rrëzoheshin për shkak të provave të pamjaftueshme.

Meilhac tha se, përkundrazi, ishin mbledhur prova të mjaftueshme për të justifikuar hapjen e një gjykimi penal. Emmanuel Bidanda, avokati i anëtarëve të ekuipazhit francez që vdiqën në vrasjen, tha se ai ishte gjithashtu duke e konsideruar tërheqjen e vendimit. Ruanda tha më 24 dhjetor se e mirëpriti përfundimin e asaj që quhet hetim i motivuar politikisht.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat