Presidenti i ri i Ukrainës shpall zgjedhje të parakohshme

Evropë

Presidenti i ri i Ukrainës shpall zgjedhje të parakohshme

Më: 20 maj 2019 Në ora: 11:46
Volodymyr Zelensky

Presidenti i porsazgjedhur i Ukrainës, i cili më parë ka qenë i njohur si humorist, Volodymyr Zelensky, i shpalli zgjedhjet e parakohshme gjatë fjalimit të parë si president i vendit.

Zgjedhjet parlamentare pritej të mbaheshin në tetor të këtij viti, por gjatë ceremonisë në Kiev Zelensky tha se do ta shpërndajë parlamentin.

Gjatë fjalimit të betimit në pozitën më të lartë shtetërore, Zelensky tha se përfundimi i konfliktit me rebelët e mbështetur nga Rusia në lindje të vendit do të jetë prioriteti i tij kryesor gjatë mandatit presidencial. Ai gjithashtu premtoi se do ta luftojë korrupsionin.

Ish-ylli televiziv, i cili e ka luajtur rolin e presidentit në një komedi, shënoi fitore të befasishme në zgjedhjet e muajit të kaluar.

“Ne duhet të bëhemi si islandezët në futboll, si izraelitë në mbrojtje të vendit dhe si japonezë në teknologji”, tha ai.

Presidenti i ri i Ukrainës fitoi në rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale kundër Petro Poroshenkos, i cili ka qenë në pushtet nga viti 2014, shkruan “BBC”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat