Mitsotakis shpall kabinetin e ri qeveritar, sot bëhet betimi - Bota Sot
Mitsotakis shpall kabinetin e ri qeveritar, sot bëhet betimi

Evropë

Mitsotakis shpall kabinetin e ri qeveritar, sot bëhet betimi

Më: 9 korrik 2019 Në ora: 08:12
Kyriakos Mitsotakis

Kryeministri i Ri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis ka bërë  publik emrat e rinj të kabinetit qeveritar.

Vetëm pak orë pasi mori detyrën, ai ka shpallur edhe 17 emrat e ministrave të rinj.

Ajo që bie në sy dhe që do të duhet bashkëpunim edhe me Shqipërinë është emërimi i Nikos Dendiasit, në postin e Ministrit të Jashtëm, një prej figurave më të shquara të Demokracisë së Re.

Ai ka drejtuar Ministrinë e Rendit dhe më pas të Mbrojtjes në qeverinë e Andonis Samaras gjatë viteve 2012-2015.

Në krye të Ministrisë së Mbrojtjes së qytetarit, që është bashkuar me Ministrinë e Emigracionit do të jetë Mihalis Chrysohoidis, i cili ka shërbyer në gjithë qeveritë e PASOK-ut pas vitit 2000. Ministër i Mbrojtjes do të jetë Nikos Panagiotopoulos.

Këtë të hënë, pa kaluar 12 orë nga mbyllja e numërimit të votave për zgjedhjet parlamentare të së dielës, Mitsotakis mori mandatin për formimin e qeverisë tek presidenti Prokopis Pavlopulos, ndërsa mori në dorëzim edhe zyrën e kryeministrit nga Aleksis Cipras.

Qeveria e re betohet të martën në mesditë dhe mbledhja e parë e kabinetit të ri do të zhvillohet të mërkurën.

Analistët thonë megjithatë se Mitsotakis do të ketë një fillim të vështirë për të mbajtur premtimet. Qeveria e re do të ketë një periudhë të shkurtër tolerance për të prodhuar rezultate dhe do të trajtohet në mënyrë më rigoroze sesa pararendëset.

Sfidat nisin me koncensionet 99-vjeçare të pronave shtetërore të dhëna nga Cipras, si pjesë të paketave anti-krizë, fondet e cunguara për investime, e deri tek marrëdhëniet me fqinjët, mosmarrëveshjet për zonat ekskluzive ekonomike kryesisht me Turqinë në detin Egje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...