Plani i ri për Brexit/ Brukseli mbetet skeptik për propozimin e Johnson

Evropë

Plani i ri për Brexit/ Brukseli mbetet skeptik për propozimin e Johnson

Më: 4 tetor 2019 Në ora: 06:59
Ilustrim

Zyrtarët e Bashkimit Evropian kanë shprehur dyshime, nëse propozimet e fundit britanike për Brexit-in, mund të prodhojnë një marrëveshje përpara afatit të 31 tetorit.

Agjencia e lajmeve Reuters, shkruan se BE-ja ishte e kujdesshme, për të mos hedhur poshtë propozimet shumë shpejt, dhe të dyja palët po tregohet të matura për të shmangur çdo fajësim, nëse procesi i Brexit-it përfundon me një përplasje mes palëve.

Kryeministri britanik, Boris Johnson, do të bisedojë përmes telefonit me Presidentin e Këshillit Evropian, Donald Tusk, dhe liderë tjerë evropianë.

“Ajo që ne po kërkojmë është që BE-ja të angazhohet pozitivisht në këtë proces, në mënyrë që të mund të punojmë së bashku për të arritur një marrëveshje”, tha një zëdhënës i qeverisë britanike.

Negociatorët e BE-së dhe të Britanisë së Madhe do të takohen të premten për të diskutuar propozimin e ri britanik, edhe pse zyrtarë të BE-së tashmë e kanë bërë të qartë se nuk janë afër arritjes së një marrëveshjeje.

Të mërkurën, kryeministri britanik, Boris Johnson, paraqiti një plan “përfundimtar” në përpjekje për arritjen e një ujdie mes Londrës dhe Brukselit që do të mundësonte një dalje të Britanisë së Madhe nga BE-ja me marrëveshje.

Ai tha se alternativa e vetme e këtij plani do të ishte një Brexit pa marrëveshje. Sipas planit, Irlanda Veriore në thelb do të qëndrojë në tregun e vetëm evropian për mallra, por do largohet nga bashkimi doganor, që nënkupton kontrolle të reja doganore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat